“Skenarin do ta merrni vesh ditën e hënë në orën 18:00”. Kështu deklaroi kreu i PD-së Sali Berisha i pyetur nga gazetari Osman Stafa se çfarë ka ndryshe kjo protestë e opozitës, e cila do të mbahet më 7 tetor, por jo para Kryeministrisë, por në disa rrugë. Berisha tha “po, në tërësi është konceptuar si një protestë në të cilën, qytetarët me protestën e tyre i tregojnë regjimit se janë zotër të këtij vendi”. Sa i përket mungesës së fjalimeve nga figura politike, Berisha tha se ditën e hënë fjalën e kanë qytetarët.
Kreu i PD-së foli dhe për kërkesën për qeveri teknike dhe vendosmërinë për ta arritur.
“Më së pari, kur shpall një kauzë, duhet të jesh i sigurt, i ndershëm, i qartë se ajo është një kauzë e drejtë. Dhe unë besoj se sot nuk ka shqiptar të ndershëm, shqiptar që është për respektimin e votës së lirë, që beson se Edi Rama lejon zgjedhje të lira.
Se mohon se Edi Rama ka krijuar një industri gjigante të blerjes së votës, një makineri gjigante të frikësimit me patronazhistët terroristë elektoralë, me banditët, vrasësit, trafikantët dhe mekanizma të tjerë të frikësimit të qytetarëve. Pra, kjo është një kauzë e drejtë për të cilën ia vlen të luftosh dhe të sakrifikosh me të gjithë forcën për realizimin e saj. Ne jemi të bindur se Edi Rama nuk e don këtë gjë, por ju garantoj se ne nuk do heqim kurrë dorë prej saj.
Kjo është e vërteta.Pra, marrë pak më veças, ne e kemi këtë mision kryesor. Është e drejtë, është shumë e drejtë që populli opozitar të presë nga opozita mbrojtjen e votës, por një opozitë demokratike nuk merr përsipër kurrë mbrojtjen me armë. Një opozitë demokratike merr përsipër mbrojtjen me metoda demokratike dhe ne garantojmë se pa qeveri teknike, vota e qytetarëve ka vdekur para se të hyjë në kuti. Ndaj dhe si një përpjekje të madhe qytetare dhe opozitare për mbrojtjen e votës së shqiptarëve, të shkojmë në qeveri teknike siç shkon Greqia në çdo zgjedhje dhe disa vende të tjera, të cilat i kanë harruar problemet elektorale, duhet të shkojë edhe Shqipëria në këtë drejtim në interesin më të mirë të paqes, stabilitetit në Shqipëri dhe zhvillimit të saj”, deklaroi Berisha.