Skënderbeu ka fituar edhe ndeshjen e kthimit të turit të tretë të Ligës së Kampionëve ndaj Milsamit, duke bërë historinë, pasi në sezonin e ardhshëm, përpos kampionatit shqiptar, korçarët do të luajnë edhe në njërin prej kompeticioneve europiane. Kampionët e Shqipërisë fillimisht do të luajnë dy ndeshjet e “play-off”-it dhe në rast se kalojnë edhe këtë fazë, atëherë janë në grupet e Championsit, në të kundërtën do të luajnë në grupet e Europa League.

Skënderbeu fitoi me rezultat 2-0 falë golave të Salihit dhe Prognit, nga një për secilin pjesë. Skuadra shqiptare dominoi ndeshjen, duke shfrytëzuar epërsinë numerike në fushë, pasi miqtë mbetën me dhjetë lojtarë që në minutën 14, pasi Androniç shkaktoi një ndërhyrje të ashpër ndaj Eskardinjës, që detyroi gjyqtarin t’i tregonte të kuqin. Korçarët e nisën vrullshëm ndeshjen, duke rrezikuar me Salihin që për pak sa nuk shënoi me kokë. Megjithatë, goli nuk vonoi shumë, pasi sulmuesi i Kombëtares u gjend më së miri pas një aksioni që nisi nga e majta për korçarët, duke çuar topin në rrjetë në të 16-n. Pak para përfundimit të pjesës së parë, një gabim i Vangjelit bëri që Belaku i Milsamit të dalë i vetëm përballë Shehit, i cili bën një pritje spektakolare për të ruajtur epërsinë minimale. Pjesa e dytë nis me një gjysmë rasti të korçarëve, por në minutën e 55 Skënderbeu siguron fitoren. Vangjeli jep një pasim perfekt nga krahu i djathtë për Prognin që del i vetëm përballë portierit dhe godet fort me të djathtën duke e dërguar topin në rrjetë. Salihi do të rrezikonte edhe një herë në vazhdim të ndeshjes, por shtylla i mohoi golin e dytë personal dhe të tretin për Skënderbeun.

Artikulli paraprakHISTORIKE, SHQIPËRIA PRITET TË NGJITET NË VENDIN E 22-të TË FIFA-s
Artikulli tjetërASGJESOHEN 2342 RRËNJË BIMË NARKOTIKE