Skënderbeu hyn në histori. Skuadra korçare bëhet e para në Shqipëri që kualifikohet në fazën e “play-off”-it të Ligës së Kampioneve, por edhe direkt në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Ka mundur dy herë, me të njëjtin rezultat, 2-0, Milsamin në turin e tretë kualifikues dhe tashmë pret kundërshtarin e radhës. Më të vështirë, kuptohet, por me bindjen për të mos u zgjuar nga kjo ëndërr e bukur.
Endërr që po e përjetojnë jo vetëm lojtarët, stafi teknik, drejtuesit dhe tifozët korçarë, por të gjithë shqiptarët. Sepse Skënderbeu i ka kaluar kufijtë, tashmë përfaqëson Shqipërinë në Europë, madje mbarë kombin. Hamdi Salihi, po ashtu, futet në histori si golashënuesi më i mirë në Champions, në historikun e skuadrave tona, gjatë pjesëmarrjeve të deritanishme në këtë kompeticion. Në 4 ndeshje të luajtura me kampionët e Shqipërisë, sulmuesi shkodran ka realizuar 5 gola. Tre prej të cilëve ndaj moldavëve. Një “gjahtar” i vërtetë para portave kundërshtare, një Inzaghi “made in Albania”, që erdhi nga jashtë dhe i dha një dorë të madhe Skënderbeut në Champions.