Qeveria sllovake ka kërkuar falje zyrtarisht për sterilizimet e detyrueshme të grave rome nëpër dekada. Koalicioni qeveritar ka lëshuar një deklaratë të mërkurën, duke dënuar shkeljet e të drejtave të njeriut ndër vite dhe u ka kërkuar falje personave të prekur, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve, TASR.

Numri i saktë i sterilizimeve nuk dihet, mirëpo të paktën mijëra gra janë prekur nga ai vendim, ka thënë përfaqësuesja qeveritare e komunitetit rom, në faqen e saj zyrtare. Sipas Qeverisë, sterilizimet e detyrueshme janë kryer në periudhën 1966-1989, me qëllim të zvogëlimit të numrit të foshnjave të lindura në mesin e këtij komuniteti.

Por, edhe pas rënies së komunizmit, Qeveria e ka pranuar se grave rome u është bërë presion – në mënyrë të paligjshme – nëpër klinika që të sterilizohen pasi kanë pasur fëmijë. Qeveria në këtë rast ka folur për periudhën 1990-2004.

Organizatat për të drejta të njeriut dhe Këshilli i Evropës kanë kërkuar tash e një kohë që Sllovakia të pranojë shkeljet sistematike të të drejtave të komunitetit rom dhe që t’i kompensojë viktimat.

Komisionerja për të Drejta të Njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatovic, e ka mirëpritur këtë kërkim-falje, duke e konsideruar hap të rëndësishëm. Megjithatë, ajo ka përmendur edhe nevojën e krijimit të një mekanizmi për kompensim sa më shpejt që është e mundur.

Artikulli paraprakI DËRGONTE VIDEO E FOTO INTIME NXËNËSVE TË SAJ, E PËSON RËNDË MËSUESJA
Artikulli tjetërSOT DY VITE NGA TËRMETI TRAGJIK I 26 NËNTORIT, 51 QYTETARË HUMBËN JETËN E MIJËRA U PLAGOSËN