Somali, qindra viktima nga sulmi në Mogadishu

Është rënduar ndjeshëm bilanci i sulmit terrorist në kryeqytetin somalez Mogadishu. Sipas autoriteteve lokale, të paktën 230 njerëz u vranë dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur, kur një kamion i ngarkuar me ekzploziv shpërtheu para një hoteli në qytet. Autoritetet paralajmërojnë se shumë nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë dhe kjo nuk është ende shifra finale e viktimave. Ky është sulmi më vdekjeprurës terrorist në Somali, që kur grupi islamik Al-Shabab nisi fushatën e tij të dhunshme në vitin 2007. Nuk është ende e qartë se kush e kreu sulmin, por autoritetet thonë se dyshimet bien pikërisht mbi Al-Shabab, i cili drejton botën e terrorit në Somali. Presidenti somalez Abdullahi shpalli tre ditë zije kombëtare për viktimat e shpërthimit, ndërsa qindra njerëz mësohet së kërkojnë mes rrënojave të ndërtesave të shkatëruara, për të afërmit e tyre që janë zhdukur. Një shpërthim i dytë po në Mogadishu, që pasoi me pak minuta të parin, i kushtoi jetën 2 personave dhe disa të tjerë u plagosën, edhe për faktin se ndodhi në një zonë jo shumë të populluar të qytetit.

Artikulli paraprakMBAHET MESHA E FESTES SE ZOJES SE SHKODRES
Artikulli tjetërRAMA: DY HISTORI SUKSESI TË KËTIJ VITI. DIALOG ME OPOZITËN PËR REFORMAT