Mbrëmja e djeshme ka shënuar një moment historik, sonda e fundit e NASA-s zbriti në planetin Mars pas një udhëtimi që filloi korrikun e kaluar. Sonda “Perseverance” hyri në në atmosferën marsiane në 04:02 pasdite.

‘Perseverance’ zbriti në Kraterin Jezero, i cili besohet të jetë një shtrat i lashtë liqeni, ku edhe do të kërkohen shenja të jetës. Terreni rreth vendit të uljes është shkëmbor, duke e bërë uljen të vështirë, por NASA tha se sonda është e përgatitur për këtë sfidë. Sonda do të qëndrojë në planetin e Kuq, për dy vitet e ardhshme.

Menjëherë pas uljes së sondës në Mars ka reaguar edhe presidenti amerikan Joe Biden, i cili ka uruar të gjithë shkencëtarët për arritjen.

“Urime NASA-s dhe të gjithë puna e të cilëve bëri të mundur uljen historike të Perseverance. Sot më shumë se kurrë u provua fuqia e shkencës dhe zgjuarsia amerikane dhe tregoi edhe njëherë se asgjë nuk është përtej mundësive,” tha Biden.

Njerëzimi ka dërguar në planetin Mars anije hapësinore që nga vitet 1960-të, por vetëm tetë mjete hapësinore janë ulur në Mars, të gjitha nga Shtetet e Bashkuara.

Në fillim të vitit 2004, dy mjete robotike të vogla të quajtura Rovers zbarkuan në anët e kundërta të planetit të kuq, në një mision që do të zgjaste 90 sol, ditë marsiane. Një nga arritjet më të mëdha të tyre ishte gjetja e provave se planeti Marsi në të kaluarën kishte ujë të rrjedhshëm në sipërfaqen e tij.

Në korrik të vitit 2008 roboti Phoenix i NASA-s testoi ujin marsian për herë të parë. NASA uli me sukses në planetin e kuq mjetin robotik Curiosity në gusht të vitit 2012, i cili synonte të studionte nëse dikur në Mars ka patur mikrobe ose nëse ende ai është i favorshëm për jetën.

Mjeti robotik InSight, i lëshuar nga NASA në prill të vitit 2019 dhe i ulur në planetin e kuq nëntorin e kaluar, zbuloi një gjëmim të butë në Mars, që besohet të jetë tërmeti i parë i dokumentuar në këtë planet.

 

Artikulli paraprakQENTË BLU NË RRUGËT E RUSISË ‘SHOKOJNË’ QYTETARËT
Artikulli tjetërRAMA PËR LARGIMET NGA SHQIPËRIA: NUK ËSHTË FUNDI I BOTËS, SHQIPTARËT I MBAJTI NË KAFAZ SI GARDELINA VEÇ ENVERI