28 për qind e familjeve shqiptare kanë vështirësi në pagesën e faturave mujore, të tilla si uji, dritat, qira etj për gjatë vitit 2018, sipas gjetjeve të Barometrit të Ballkanit të këtij viti. Lidhur me këto shifra të publikuara, Star Plus bëri një vëzhgim ku rezulton se edhe qytetarët shkodranë gjenden në vështirësi para se të paguajnë faturat e ujit dhe energjisë elektrike. Sipas tyre, të ardhurat bazë nuk mjaftojnë për t’u ushqyer e aq më pak për të paguar edhe faturat e mbifaturuara.
Sipas anketës numri i familjeve në vështirësi për të paguar faturat mujore erdhi në ulje në raport me vitin 2017, por gjithsesi janë nivel shumë më të lartë se mesatarja Rajonale. Gjetja e anketës materializohet edhe në arkëtimet e OSHE-së, ku për rreth 24 për qind e energjisë që hidhet në rrjet nuk merret asnjë pagesë. Çmimet e energjisë u rritën pesë vite më parë me rreth 20 për qind.
Teksa Shqipëria ka çmimet energjisë për konsumatorët në nivelet më të larta rajonale, i ka të ardhurat për frymë në nivelet më të ulta. Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë periudhës 2012-2017, të ardhurat për frymë të Shqipërisë u rriten me 700 euro, nga niveli 3300 euro arritën në 4000 euro për frymë.