Emigracioni në Shqipëri ka marrë përmasat e një gangrene, e cila ka mbetur pa një diagnozë, e për rrjedhojë edhe pa një kurë se si mund të fashitet para se efektet të jenë të pandreqshme.
Hemorragjia e ikjeve që nisi me shembjen e sistemit komunist në vitin 1990 vijon të jetë e fortë edhe pas më shumë se 30 vitesh dhe së fundmi po gjen përhapje në kategorinë e të arsimuarve dhe profesionistëve që përfaqësojnë shtresën e mesme.
Një sondazh i “Monitor”, që nisi më 11 shtator të këtij viti dhe zgjati rreth një muaj, ku u intervistuan 1044 persona rreth arsyeve që çojnë individët dhe familjet të largohen nga Shqipëria, tregoi për një pakënaqësi të lartë me standardet e jetës në Shqipëri, mungesën e perspektivës për të ardhmen, cilësinë e dobët në arsim dhe shëndetësi, korrupsionin e lartë etj.
Sondazhi i zhvillua online, përmes platformës ECR (Engaged Citizens Reporting- Angazhimi i qytetarëve në raportim). Kampioni është rastësor dhe nuk përbën gjetje shkencore.
Nga totali i të anketuarve 857 persona (82%) jetonin në Shqipëri dhe 187 (ose 17.9%) jetonin jashtë vendit. Rezultatet e intervistave treguan për një emigracion potencial të lartë në mesin e të shkolluarve. Mbi 94% e pjesëmarrësve (984 persona kishin arsimin e lartë, nga të cilët 478 me gradë PHD dhe 57 doktorantë).
Nga të anketuarit që jetonin në Shqipëri 89.7 kishin menduar largimin nga Shqipëria si një opsion, ndërsa vetëm 88 persona ose 10% e atyre thanë se nuk kishin menduar asnjëherë largimin nga vendi.
Pyetjes “keni ndonjë plan konkret për t’u larguar nga vendi brenda 2 viteve të ardhshme?” i dhanë përgjigje 769 persona që jetojnë në Shqipëri, ku 40.6% e tyre (312 persona) pohuan se do të largohen nga Shqipëria në dy vitet e ardhshme.
Gjysma e të anketuarve, 54.8%, nuk do të largoheshin nga vendi për një pagë bruto jo më të vogël se 2000 euro. Më shumë se 60% mendojnë se duhet të ulet korrupsioni për të zvogëluar emigrimin e të rinjve dhe gjithashtu përmirësimi i shërbimit arsimor dhe shëndetësor konsiderohet nga gati gjysma e të anketuarve.
Sondazhi i “Monitor” evidentoi se nga 187 të intervistuar që jetonin jashtë vendit, mbi 57% nuk kanë plan të kthehen në Shqipëri ose maksimumi do të vizitojnë vendin për pushime. Vetëm 2.1% kishin plane të afërta për rikthim dhe 23.5% pas disa vitesh.
Sondazhi i “Monitor” u realizua nëpërmjet një thirrje të hapur në variantin online dhe nuk kishte një kampionim paraprak. Të 1044 personat që plotësuan anketën në pjesën dërrmuese (94%) ishin me arsim të lartë të shoqëruar me doktoratë. Për rrjedhojë sondazhi u kthye në matës të ndjesisë rreth emigrimit në një popullsi të mirarsimuar dhe me të ardhura mbi mesataren.
Jo vetëm të rinjtë, po ikin shtresa dhe mosha e mesme
Anketa evidentoi tendenca të forta për emigrimin në shtresën e mesme dhe në moshën e mesme. Emigracioni në Shqipëri është i përqendruar në të rinjtë ende pa krijuar familje, por vitet e fundit ka një trend në emigrimin e familjeve, me njerëz të arsimuar dhe të mirëpaguar. Nga personat që jetonin në Shqipëri, 33% e atyre që pohuan se kanë menduar të largohen i takojnë grupmoshës 40-49 vjeç, 38.5% grupmoshën 30-39 vjeç dhe 15,8% ishin nga 20-29 vjeç.
Të dhënat e sondazhit tregojnë nivel të lartë zhgënjimi te profesionistët e arsimuar mbi 40 vjeç, të cilët kishin investuar në familje dhe në profesion dhe po mendojnë të largohen nga vendi, jo vetëm për arsye financiare, por për një infrastrukturë jetësore më të mirë që lidhen me shërbime arsimore dhe shëndetësore më të mira, infrastrukturë më të mirë dhe një mjedis më të pastër.
Nga të 1044 personat e anketuar 93%, ishin të punësuar dhe vetëm 7% pa punë. Nga të punësuarit 78% ishin me kohë të plotë, 10.3% ishin të vetëpunësuar dhe 4.7% ishin të angazhuar me kohë të pjesshme. Shumica e të anketuarve kishin krijuar familje, pasi ishin të martuar ose në bashkëjetesë dhe vetëm, pjesa tjetër 25.5% ishin beqar dhe 1.2% të divorcuar.
Arsyet që shtyjnë shtresën e mesme të largohen nuk janë ekonomike
Ndryshe nga popullata e përgjithshme që shikon si arsye kryesore të emigrimit, statusin ekonomik dhe punësimin, në shtresën e mesme dhe te profesionistët, arsyeja kryesore pse kanë vendosur të largohen nga Shqipëria është mungesa e shpresës se gjërat mund të përmirësohen dhe gjithashtu vlerësojnë të rëndësishme mungesën e cilësisë në shërbimet shëndetësore dhe arsimore. Më shumë se 66% e të anketuarve që jetojnë në Shqipëri, 568 persona nga 857 gjithsej, dhanë si arsye për emigrimin “mungesën e perspektives për të ardhmen”.
Gjithashtu, më shumë se gjysma mendojnë si arsyen e dytë më kryesore për largimin nga vendi “standardet më të larta të jetesës”, në vend të tretë “mungesa e një shërbimi shëndetësor të përshtatshëm”, në vend të katërt, ”mungesa e sigurisë dhe stabilitetit politik, ndërsa 46% e të anketuarve kishin si një arsye “arsim më të mirë për fëmijët”.
Të anketuarit kanë zgjedhur më shumë se një arsye për largimin. Gjithashtu zvogëlimi i hapësirave publike në zonat urbane shërbeu si arsye për 30% të të anketuarve.
Rezultatet tregojnë se, arsyet që kanë të bëjnë me punësimin dhe gjendjen ekonomike zënë një peshë më të ulët për largimin. Mundësi më të mira punësimi, paga më e ulët dhe problemet ekonomike në vend zunë vendin 7, 8 dhe 9 në grupin e arsyeve.
54.8% nuk rrinë Shqipëri as për 2000 euro pagë
Sondazhi evidentoi se, shumica e profesionistëve që përfaqësojnë shtresën e mesme në Shqipëri nuk rrinë në Shqipëri as për 2000 euro pagë. Pyetjes se “për cilin nivel page nuk do të mendonit largimin nga vendi (bruto/muaj)”, 4.8% e të anketuarve që jetojnë në Shqipëri, rreth 469 persona, mund të rrinë në Shqipëri për paga mbi 2000 euro.
10% e të anketuarve pohuan se nuk do të largoheshin nga vendi për paga 1100-1400 euro në muaj, 12,7% nuk ikin nga vendi për paga në intervalin 1400-1700 euro në muaj, ndërsa 7,1% nuk ikin nga vendi për një pagë 500-1100 euro në muaj.
Gjermania, SHBA dhe Kanadaja, vendet e synuara për të ikur
Profesionistët dhe shtresa e mesme që mendojnë të largohen nga Shqipëria synojnë vendet më të zhvilluara. Nga grupi i personave që po bëhen gati të ikin nga Shqipëria në dy vitet në vijim, 312 persona ose 37.8% e tyre synojnë të largohen në Gjermani, 21% në SHBA dhe 9% në Kanada. Përqindje më të ulëta zgjodhën Italinë (8.6%), Britaninë e Madhe (5%) Zvicrën (2%) dhe vende të tjera të BE-së me një përqindje më pak se 1%.
Nga pjesa që jeton në Shqipëri, 48% nuk ishin aspak të kënaqur me karrierën e tyre, 44.5% ishin disi të kënaqur dhe 7.7% ishin shumë të kënaqur. Pas vitit 2015 ka një trend në rritje të emigrimit drejt Gjermanisë, për shkak të lehtësive në procedurat burokratike për profesionistët.
Anketa tregoi se shtresa e mesme synon të largohet në mënyrë të organizuar në vende shumë të zhvilluara, me kontrata pune ose me emigracion të organizuar.