Sondazhi i BSH: 30% e familjeve shqiptare kanë një hua për të paguar
Pamundësia për të marrë një kredi bankare ka detyruar pjesën dërrmuese të familjeve shqiptare t’I drejtohen huave joformale, te të afërm të njohur, apo te individë që I japin me fajde. Sondazhi më I fundit I Bankës së Shqipërisë për huaamarrjen zbardh se në gjysmën e parë të vitit 30% e familjeve shqiptare kanë një hua për të paguar. Në 43% të rasteve të huamarrjes, familjet i janë drejtuar burimeve formale (banka dhe institucione jobankare), ndërsa në 57% të rasteve i janë drejtuar burimeve joformale, kryesisht në para të thata. Në vrojtim janë intervistuar një kampion rastësor prej 1,209 familjesh, ku rreth 54% i përkasin zonave urbane dhe 44% zonave rurale. Tre qëllimet kryesore të huamarrjes mbeten për konsum (35% e rasteve të huamarrjes), blerje/riparim prone (31% e rasteve) dhe zhvillim biznesi (13% e rasteve). Në ndryshim nga prirja e viteve të fundit, gjatë këtij viti, shpërndarja e qëllimit të kredisë është zhvendosur në favor të huamarrjes për blerje/riparim prone. Në analizën e saj, Banka e Shqipërisë vlerëson se Mundësia për të marrë hua nga familjet është rritur lehtë në pjesën e parë të vitit, por mbetet poshtë nivelit të mesatares afatgjatë. Në të kundërt të individëve, bizneset I janë drejtuar më së shumti bankave për të marrë kredi. Përkatësisht, 92.2% e ndërmarrjeve të vogla, 92.7% e atyre të mesme dhe 96.1% e atyre të mëdha e kanë përfituar huanë e tyre vetëm nga bankat, ndërkohë që pjesa tjetër kanë kombinuar një tërësi burimesh financimi