Një pjesë e konsiderueshme e individëve shqiptarë deklarojnë se nuk kanë mundësi që të blejnë apo të ndërtojnë një shtëpi, që është në kontrast me lulëzimin që po përjeton tregu i pasurive të paluajtshme së fundmi.

Banka e Shqipërisë në indeksin që ajo harton për treguesin e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve, një prej pyetjeve e ka të lidhur me blerjen e shtëpive.

Të anketuarve, në bazë tremujore, u bëhet pyetja: “A keni në plan të blini ose të ndërtoni një shtëpi gjatë 12 muajve të ardhshëm (për të jetuar vetë ju, një anëtar i familjes, si shtëpi pushimi, për ta dhënë me qira etj.”? dhe mundësitë e zgjedhjes janë : Po, me siguri; E mundshme; Ka shumë mundësi që jo; Jo; Nuk e di.

Balanca e përgjigjeve është për këtë pyetje është -88, për tremujorin e parë 2021, afër nivelit maksimal negativ (prej -100), që tregon një pamundësi të lartë për blerjen e një shtëpie. Sipas metodologjisë së Bankës së Shqipërisë treguesi i balancës merr vlera midis -100 dhe +100.

Një tregues mbi 0 tregon për një numër më të madh të përgjigjeve pozitive sesa negative, në një tremujor të caktuar. Nga të 15 pyetjet që bën Banka e Shqipërisë për të matur besimin e konsumatorëve, (ku përfshihet vlerësimi i situatës financiare, papunësisë, pritshmërisë për blerjet e mëdha, prirjet e kursimit, papunësisë etj) kjo është përgjigja që ka balancën më të lartë negative.

Pamundësia për të blerë një shtëpi ishte më e larta në pjesën e parë të vitit të kaluar, sidomos në tremujorin e dytë, kur balanca arriti në gati 90%, për shkak të pasigurisë së krijuar nga pandemia dhe rritjes së papunësisë. Megjithatë, në realitet, tregu i pasurive të paluajtshme në atë periudhë ishte në lulëzim.

Të dhënat e tjera të INSTAT treguan se ndonëse në periudhë pandemie, rënie ekonomike dhe konsumi të tkurrur, sektori i pasurive të paluajtshme në vend është i vetmi që nuk e ndjeu aspak krizën. Për 9-mujorin 2020, transaksionet e pasurive të paluajtshme arritën në 76 miliardë lekë (rreth 612 milionë euro), duke shënuar sërish rekord për periudhën në fjalë, që nga viti 2009.

Pamundësi e lartë edhe për blerjen e makinave

Përgjigja e dytë me balancën më të lartë negative është ajo për blerjen e një makine. Konsumatorëve iu bëhet pyetja:

“Sa mundësi ka të blini një makinë gjatë 12 muajve të ardhshëm?” Alternativat e përgjigjeve janë: Shumë e mundshme; E mundshme; E pamundur; Krejtësisht e pamundur; Nuk e di.

Balanca e përgjigjeve në tremujorin e parë 2021 ishte -61.2. ashtu si në rastin e shtëpive, pamundësia më e lartë ishte në periudhën e pandemisë, në tremujorin e parë dhe të dytë 2020.

Sipas Eurostat, Shqipëria është një nga shtetet me numrin më të ulët të automjeteve në raport me popullsinë, së bashku me Maqedoninë.

foto galeri

foto galeri

Artikulli paraprakAMBASADA AMERIKANE URON KURBAN BAJRAMIN: MUNDËSI PËR TË REFLEKTUAR MBI ANGAZHIMIN TONË TË PËRBASHKËT PËR NDËRTIMIN E KOMUNITETEVE PAQËSORE
Artikulli tjetër“KAM DASHUR TA BËJ GJITHË JETËN TIME”, JEFF BEZOS DHE TRE SHOQËRUES UDHËTOJNË SOT NË HAPËSIRË, FLUTURIMI ZGJAT 11 MINUTA