Sot bëhet 1 vit nga tërmeti 6.4 ballë me pasoja tragjike i datës 26 nëntor të vitit të kaluar, ku u shuan 51 jetë e me mijëra persona mbetën pa shtëpitë e tyre.

Edhe pse tani fillon një vit i ri, duke lënë pas ato çfarë kanë ndodhur, shumë familjarë janë ende me plagët e hapura, për të afërmit që humbën apo shtëpinë e tyre që u shembën. Dy zonat më të prekura dhe me më shumë viktima kanë qenë Durrësi dhe Thuma.

Lëkundjet e forta sizmike sollën shumë panik në të gjithë vendin, jo vetëm në atë ditë por edhe për muajt më pas, duke mbajtur qytetarat në ankth, të cilët qëndronin drejt derës për të vrapuar jashtë saj në moment që dëgjonin edhe lëkundje të vogla, që as nuk kanë munguar për javë me rradhë, pas atij mëngjesi të errët.

Dëmet e mëdha materiale të shkaktuara nga tërmeti, ku shumë familje mbetën në qiell të hapur, sollën edhe solidarizimin e të gjitha shteteve botërore, duke e shprehur nëpërmjet ndihmave të shumta financiare, apo sjelljen e shumë prej forcave të kërkim-shpëtimit, të cilët luftuan për nxjerrjen e trupave nën gërmadha për disa ditë me rradhë, bashkë me forcat shqiptare.

Tanimë një vit më pas, shumë shtëpi janë rindërtuar dhe shumë të tjera janë në rindërtim, por pavarëisht kësaj viti 2019 do të mbahet mend gjatë si një vit zie për shkak të këtij tërmeti që mori 51 jetë plot ëndrra. Edhe kryeministri Edi Rama përmes një videoje të publikuar posaçërisht për tërmetin mëngjesin e sotëm, ka kujtuar gjithçka nga ajo ditë e zymtë dhe të tjerat që pasuan pas saj, duke thënë se ia dolëm ta përballojmë më së miri falë edhe mbështetjes së miqve fqinjë.

Një vit më pas tërmetit, vetëm njëra nga dosjet penale të nisura nga prokuroria Shqiptare, ka përfunduar në gjykatë. Hetimet e drejtuara nga prokuroritë e Durrësit, Tiranës, Kurbinit, Krujës dhe Lezhës kishin qëllim evidentimin dhe ndalimin e personave, që kishin përgjegjësi penale, për dëmtimin e rëndë të ndërtesave ku ishin rregjistruar viktima në njerëz.

Por duket se pas një viti këto hetime janë zbehur, pasi nuk është ai revansh si në fillim të muajit dhjetor dhe janar, i prokurorëve, për të hetuar e ndaluar personat përgjegjës.

Artikulli paraprak“VDEKJA E NJË ZOTI”, HOMAZHI I MEDIAVE BOTËRORE PËR DIEGO ARMANDO MARADONËN
Artikulli tjetër1 VIT NGA TËRMETI, RAMA: ISHIN DITËT MË TË ÇMENDURA TË JETËS TIME