Në 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Lulzim Basha bashkë me Enkelejd Alibeajn dhe anëtarë të Kryesisë ishin në Kosovë. Ata bënë homazhe në Boletin, në kullën e Isa Boletinit në nderim të luftëtarëve të Kosovës që mbështetën Ismail Qemalin dhe qeverinë e parë të shtetit të pavarur shqiptar. Basha ishte i shoqëruar nga Gazmend Boletini, stërnipi i Isa Boletinit, nga ku uroi i uroi të gjithë shqiptarët për këtë ditë të shënuar.

“Gëzuar 28 nëntorin, ditën e pavarësisë së Shqipërisë, ditën e flamurit kombëtar. Sot kemi zgjedhur ta festojmë këtë ditë nga një prej monumenteve më historike të kombit shqiptar, kulla e Isa Boletinit këtu në Boletin në veri të Kosovës. Kemi zgjedhur ta festojmë duke nderuar një prej dy Isëve të mëdhenj, bashkë me Ismail Bej Vlorën, atin themelues të shtetit shqiptar, Isa Boletinin komandantin e parë ushtarak të shtetit shqiptar, dorën e djathtë ku mbështetej Ismail Qemali dhe veprimtarët e tjerë që mundësuan pavarësinë e Shqipërisë.

Fshati Boletin njihet për gurët e tij të mëdhenj, edhe Isa Boletini është një gur i madh në themelin e shtetit shqiptar. Ai është një nga ata gurët që mbeten në ndërgjegjen tonë edhe si diçka për tu nderuar e krenuar, por edhe si paralajmërim për kundërshtarët e lirisë dhe pavarësisë të kombit tonë, se këta gurë qëndrojnë garanci e identitetit tonë kombëtar, e përkatësisë tonë evropiane, por të pavarura dhe me liri të pacenuara”, tha Basha. Shqipëria feston sot 111 vite nga krijimi i shtetit. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.

Artikulli paraprak“STAR SPORT”, MATIJA FLET PËR SHERRIN NË TIRANË
Artikulli tjetërSHEMBJE MASIVE GURËSH NË SEGMENTIN FUSHË ARRËZ-MIRDITË, ARRSH APEL PËR KUJDES