Ditën e sotme shënohen 16 vite nga masakra e Gërdecit, ku 26 persona humbën jetën dhe mbi 300 të tjerë mbetën të plagosur nga shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec. 28 të pandehurit e dërguar në gjykatë sot janë liruar nga burgu dhe ende nuk është vënë drejtësi.

Por familjarët e viktimave kanë ende shpresën se drejtësia e re do të çojë pas hekurave përgjegjësit e një prej tragjedive më të mëdha të ndodhura ndonjëherë në vendin tonë. Ka dritë në fund të tunelit për këto familjarë të cilëve ajo tragjedi u mori të dashurit e tyre. GJKKO po heton çështjen për akuza të rënda “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “pastrim parash”, ndërsa ka marrë të pandehur ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediun.

Ku jemi me procesin në GJKKO
Më 13 mars ishte seanca e radhës nga ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu asokohe, i cili refuzoi që të dëshmonte në GJKKO në cilësinë e të pandehurit për masakrën e Gërdecit. Mediu përmes një deklarate nuk pranoi të pyetej në seancën gjyqësore, por kërkoi që të ishte i fundit që të jepte sqarime pasi sipas tij në këtë moment të procesit do të jetë ishte thjesht një akt formal, që nuk i shërben aspak të vërtetës, por thjeshtë statistikës. Mediu e konsideroi një proces të manipuluar mediatikisht dhe politikisht hetimin dhe gjykimin për masakrën e Gërdecit.

Familjarë e viktimave i kërkuan gjykatës se si do të procedohet me marrjen në pyetje të ish gjeneralit Luan Hoxha, ndërsa gjykata tha se është në kompetencë të prokurorëve. SPAK ende nuk ka dhënë një sqarim. Më herët Dashnor Caushi, bashkë i pandehur i dënuar me 3 vite burg për shpërdorim detyre, nuk pranoi të fliste duke shfrytëzuar të drejtën që ia njeh ligji. Seanca e radhës do të mbahet më 27 mars, ndërsa nuk u paraqitën sërish për të dëshmuar edhe Denis Hajdari dhe Anjola Agolli të cilët nuk u gjetën në adresat përkatëse për të marrë njoftim. Agolli ish-sekretare e Ministrit të Drejtësisë, kërkohet që të merret në pyetje lidhur me faksin për ‘Shkëlzen Berishën’ dërguar nga Ministria e Drejtësisë tek ajo e Mbrojtjes.

Dëshmia e Shkëlzen Berishës në GJKKO, 44 telefonata me Delijorgjin!
I lakuar prej 15 vjetësh si personi kyç në përcaktimin e fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec dhe lidhjet me Mihal Delijorgjin, Shkëlzen Berisha u shfaq arrogant pasi doli nga GJKKO, ku dëshmoi më 27 dhjetor të vitit të kaluar në lidhje me masakrën. Gjykata e vuri përpara faktit se ka 44 telefonata me Mihal Delijorgjin nga janari në mars 2018 dhe po ashtu 5 të tilla me ish ministrin Mediu ditën e shpërthimit të fabrikës ku humbën jetën 26 persona. Madje në kohën e hartimit të dosjes së Gërdecit, sipas tij 42 herë në zyrën e Mediut ka shkuar për çështje personale se e ka mik prej 1994, kur sipas llogarisë Shkëlzeni ishte 15 vjeç.

Edhe për takimet me Aldo Bumçin, nga ministria e të cilit u shënjua dokumenti ‘Për Shkëlzenin’. Ishte Anila Gjergji me detyrë inxhinierie software-i e ministrisë së Mbrojtjes që dëshmoi faksin e ardhur nga ministria e Drejtësisë i shënjuar “për Shkëlzenin’ ku përcaktohej Gërdeci si vendi i demontimit, fakt për të cilin të gjithë zyrtarët e thirrur kanë ngritur shpatullat para prokurorëve duke thënë se nuk kishin firmosur, nuk dinin gjë dhe nuk e kishin dërguar ata.

Çfarë ndodhi në 15 mars?
15 mars 2008, mesditë ora 12:05 një shpërthim i fuqishëm tronditi Tiranën, ndërsa krateri i tij u shënua pak kilometra më tutje në fshatin Gërdec në Vorë. Teksa minutat kalonin ajo çka kishte ndodhur ishte e paimagjinueshme, 26 të vdekur e mbi 300 të plagosur dhe me 100 shtëpi të rrafshuara. Këto ishin pasojat e shpërthimit në punishten e demontimit të municioneve shtetërore në pronësi të biznesmenit Mihal Delijorgji.

Sot 16 vite më pas, ai shpërthim është ende i freskët në memorien e të gjithë. Kjo ngjarje përfundoi dhe në dyert e gjykatave shqiptare, por sot për 26 të vdekur e 300 të plagosur nuk ka asnjë person pas hekurave. Pati persona që ndërruan jetë në mënyrë të pashpjegueshme, pati dëshmitarë që u arratisën, ushtarak që morën azil politik, por për familjarët asnjëherë nuk u vendos drejtësi.

Artikulli paraprakWHATSAPP VJEN ME PËRDITËSIME TË REJA
Artikulli tjetërADMINISTRATA OFRON SHËRBIMET ONLINE DHE BËN SHUMË PUSHIME! SI KA NDRYSHUAR NUMRI I TË PUNËSUARVE NË SHTET