Sot shënohet 16-vjetori i vdekjes së ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ky i fundit ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, pas një beteje me kancerin në mushkëri. Ai u dërgua në banesën e fundit me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Në përvjetorin e 16-të të vdekjes së tij do të bëhen homazhe në Velani. Ndërkaq në ora 14:00 në Gjilan do të mbahet edhe një ceremoni përkujtimore. Para se të vdiste, Rugova kishte lënë amanet, që Kosova të mos i prishë miqësitë me vendet e fuqishme në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe që të kishte kujdes nga disa vende të tjera.

Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.

Kush ishte Ibrahim Rugova?
Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë të Komunës së Istogut. Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë të atin, Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës.

Ibrahim Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971.

Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare.

Ibrahim Rugova mori doktoratën në letërsisë në Universitetin e Prishtinës më 1984. Më 1996, Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës. Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.

Autor i dhjetë librave, Dr. Ibrahim Rugova ishte në nismëredaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada, Dr. Rugova punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike”, që e nxirrte ky Institut.

Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, e cila u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë dhe parti e grupe të tjera.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.

Artikulli paraprakFAUCI TREGON 5 FAZAT E PANDEMISË! JA NË CILËN NDODHET BOTA ME COVID-19
Artikulli tjetërGATI 10 MIJË RASTE AKTIVE ME COVID-19 NË KOSOVË, PRITET SHTRËNGIMI I MASAVE