Si sot 6 vite më parë, u nda nga jeta ish-deputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, teksa po udhëtonte me makinën e tij nga Elbasani drejt Tiranës.

Olldashi një nga figurat më të shquara të PD, humbi jetën më datë 20 nëntor 2013, pas një aksidenti të rëndë në Kërrabë. Ai ka qenë një ndër studentët e ngjarjeve të Dhjetorit ’90 dhe katër herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Karrierën e tij e nisi si gazetar dhe kreyeredaktor i gazetës ‘Albania’. Ndërsa më pas, në vitin 2001 zgjidhet për herë të parë deputet në Kuvendin e Shqipërisë për të nisur një cikël të ri në jetën e tij atë të politikës.

Po fati nuk deshi që jeta e tij politike të ishte e gjatë. Në korrik të vitit 2013, pas humbjes së zgjedhjeve elektorale nga Partia Demokratike dhe dorëheqjes së Sali Berishës nga posti i kryetarit të Partisë, ai kandidon për kryetar partie, përballë Lulzim Bashës, në zgjedhje të debatuara për moskorrektësi dhe nuk fiton. Vetëm 4 muaj më vonë ai humbi jetën në aksident.

Kush ishte Sokol Olldashi?

Sokol Olldashi u lind më 17 dhjetor 1972 në Durrës, ishte deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë dhe Ministër i Punëve Publike dhe Transportit në qeverinë shqiptare nga viti 2009 deri në vitin 2013.

Shkollimin e mesëm e kreu në vendlindje, Durrës, ndërsa studimet e larta për drejtësi i kreu më 1995 dhe në vitin 2004 Kolegjin e Mbrojtjes, pranë Komandës së Doktrinave. Që nga koha e studimeve fillon të punojë si gazetar në Albania, Rilindja Demokratike, Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe bëhet kryeredaktor i televizionit ATN, pastaj zgjidhet në krye të Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe, në vitin 2001, zgjidhet deputet në Parlament.

Në vitin 2005 i ngarkohet detyra e Ministrit të Rendit, të cilën e dorëzoi për t’u kandiduar në postin e kryetarit të Bashkisë Tiranë më 2007. Pas “humbjes” së këtij kandidimi, nga viti 2007, mbajti postin e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit në qeverinë e Shqipërisë.

Për aksidentin e Sokol Olldashit në atë kohë u përfol shume dhe shkak për vdekjen e tij u dyshua të ketë qenë lagështia dhe shpejtësia e lartë me të cilën Olldashi ka udhëtuar. Makina e tij për shkak të shpejtësisë së madhe dhe kthesës së pjerrët humbi kontrollin, duke u rrëzuar 20 metra poshtë në humnerë, ku ish deputeti gjeti vdekjen e menjëhershme.

Artikulli paraprak‘JEMI SHOKËT E DJALIT’/ TRE HAJDUTË FUTEN NË BANESË DHE MARRIN PARATË NË KASAFORTË, PRONARJA: S’I NJOHA
Artikulli tjetërNË KËRKIM PËR VRASJE, VJEDHJE DHE DROGË/ TRE SHQIPTARË EKSTRADOHEN DREJT ITALISË