Sot shënohet “Dita e Mësuesit”. Mësonjëtorja e parë u çel në 7 mars në 1887 në kushtet e pushtimit otoman dhe ajo u krijua nga një grup rilindasish, ndërsa ishte e para shkollë fillore me një fizionomi të theksuar kombëtare dhe laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe.

Presidenti Ilir Meta uroi mësuesit në ditën e tyre, duke veçuar urimin për mësuesen e tij të parë, Lenin, e të tjerët me radhë gjatë shkollimit.

Por nuk ka lënë pas edhe politikën, kur thotë se mësuesit janë në ajkën e elitës së intelektualëve shqiptarë që sipas tij sot janë vënë në “ballë të pranverës kuqezi”, siç Meta i referohet nismës anti-qeveritare që ka ndërmarrë, vënë në ‘jetë’ përmes tubimit të 2 marsit.

“Gëzuar 7 marsin, Ditën e Mësuesit! Gëzuar këtë ditë nderimi të madh për çdo mësues, pedagog dhe profesor shqiptar, dhe shumë sukese në misionin fisnik të mëkimit të dijes, vlerave qytetare, atdhetare e patriotike!

Një urim dhe një falenderim të veçantë kam sot për mësuesen time të parë Lenin, mësueset e mia tek “Kongresi i Lushnjës”, “Fan Noli” dhe “Sami Frashëri”, Kadrie Dibra, Kasiani Nikolla, Afërdita Saraçi, Dolorez Cipo, Mirjana Hoxhasi, Nafie Ciu, Ana Papa, Fatmira Kocani, Enis Terhati, Edmond Gega e shumë të tjerë, si dhe për të gjithë profesorët e pedagogët e mi të dashur të cilët i kujtoj me shumë respekt dhe nostalgji.

Nderim përjetë dhe mirënjohje gjeneratave të mësuesve shqiptarë që me sakrifica sublime u vunë në ballë të lëvizjeve kombëtare, jo vetëm për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë, por edhe për demokratizimin e saj, duke i prirë zhvillimit, emancipimit dhe demokratizimit të vendit!

Faleminderit edhe të gjithë mësuesve, pedagogëve e profesorëve të nderuar që së bashku me ajkën e elitës së intelektualëve shqiptarë janë vënë sot në ballë të PRANVERËS KUQEZI! Lavdi përjetë atyrë që dhanë jetën për gjuhën tonë të shenjtë! Të mos harrojmë kurrë amanetin e Petro Nini Luarasit: “Mblidheni gjakun tim që ta përdorin fëmijët për të shkruar shqip!”, shkruan Meta.

Kryeministri Edi Rama uroi mësuesit në ditën e 7 Marsit, përmes një shprehjeje të filozofit kinez, Konfucit: “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë”.

Artikulli paraprakRRITJA E MESATARES, A DËMTOHET UNIVERSITETI
Artikulli tjetërPLANE PËR TË FESTUAR? ZBULONI PARASHIKIMIN E MOTIT PËR 7 DHE 8 MARS