Arben Kraja është anëtari i parë i SPAK që ka shprehur interesin për postin e kreut të saj ndërsa kërkesa e tij është shoqëruar me vizionin për ndërtimin e SPAK.
Sot është afati i fundit ku kandidatët për kreun e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) duhet të paraqesin kërkesën për interes.
Pas përfundimit të afatit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të miratojë metodologjinë për përcaktimin e kandidatit fitues, ku prokurorët garues do t’i nënshtrohen një seance publike dëgjimore ku do të paraqesin edhe platformën e tyre.
Një nga prioritetet që ka drejtuesi i SPAK, me marrjen e detyrës, pritet që të zgjedhë edhe drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, strukturë kjo e cila do të jetë e varur nga SPAK-u, në hetimin e dosjeve të bujshme, e kryesisht ato që kanë të bëjnë me vepra të rënda penale, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal.