Shqipëria është një hap më shumë drejt Bashkimit Europian. Ditën e sotme, vendi ynë mban konferencën e tretë ndërqeveritare në Bruksel, ku do të hapen zyrtarisht negociatat për klasterin 6 ‘Marrëdhëniet me Jashtë’.

Delegacioni shqiptar kryesohet nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili në një prononcim tha se synohet që brenda viti 2025 të hapen të gjithë kapitujt.

“Duhet të vazhdojmë përpara, dhe ambicia jonë është të hapim më shumë klastera, shpresojmë në pranverë, dhe pastaj të sigurohemi që viti i ardhshëm të mbyllet me klasterat e hapur”, tha Rama.

Çelja e negociatave për klasterin 6 përfshin dy kapituj:

Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e jashtme

Kapitulli 31 – Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes

Ky pritet të jetë grup-kapitulli që do të mbyllet më shpejt në procesin e negociatave, pasi Shqipëria e ka njësuar plotësisht politikën e jashtme me atë të BE-së, kryesisht në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit ndaj Ukrainës.

Kjo konferencë e tretë ndërqeveritare do të jetë e dyta gjatë presidencës hungareze, pas asaj të mbajtur në Luksemburg më 15 Tetor çeli zyrtarisht , ku Shqipëria hapi pesë kapitujt e anëtarësimit pjesë e çështjeve themelore si Gjyqësori të Drejtat Themelore, Drejtësia, Prokurimet, Statistikat, Sigurinë dhe Kontrollin Financiar.

Delegacioni shqiptar
1-Edi Rama, kryeministër
2-Igli Hasani, ministër i Jashtëm
3-Majlinda Dhuka, kryenegociatore
4-Pirro Vengu, ministër i Mbrojtjes
5-Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
6-Adea Pirdeni, ministre e Antikorrupsionit

Artikulli paraprakVIJOJNË TEMPERATURAT E ULËTA/ PARASHIKIMI I MOTIT PËR SOT, 17 DHJETOR 2024
Artikulli tjetërVETËM NJË VEND NË EUROPË PAGUAN GRATË MË SHUMË SE BURRAT