Komisioni Evropian i paraqet sot Parlamentit Evropian progres-raportet për vendet në procesin e zgjerimit, ku përfshihen shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia.Sot do të jepen vlerësimet e Komisionit Europian për punën që Shqipëria ka bërë në realizimin e 5 prioriteteve kyçe. Raporti për zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor do të prezantohet nga Komisioneri për zgjerimin, Johanes Hahn. Takimi, i cili do të mbahet vetëm disa ditë pas zgjedhjeve të BE, është planifikuar për në orën 11:00.
Në raporte nuk pritet të ketë befasi dhe duket se Komisioni Evropian do të rekomandojë edhe kësaj radhe çeljen e negociatave për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në Bruksel kjo ngjarje, që vitet e mëparshme është shoqëruar me shumë aktivitete, këtë herë ndodhet nën hijen e Samitit të Jashtëzakonshëm të vendeve anëtare, të cilat duhet të vendosin për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të ri të Komisionit të BE-së.Këto raporte rekomandojnë shumë veprime, të cilat zbatohen në bazë të vendimeve në strukturat e tjera të BE-së të udhëhequra nga zyrtarë të zgjedhur të vendeve anëtare. Vendimi për çeljen e negociatave bëhet nga Këshilli Evropian, ku marrin pjesë krerët e vendeve anëtare.
Raporti në tërësi do të përmbajë vlerësime për ecurinë e reformave në vendet e Ballkanit duke përfshirë edhe ato, të cilat janë kyçe për Shqipërinë, si funksionimi i institucioneve, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit. Sa i përket Shqipërisë dhe Kosovës, si pika kyçe do të mbeten lufta kundër korrupsionit dhe funksionimi i drejtë i gjykatave.Përmbajtja e raportit do të përdoret nga vendet anëtare dhe nga vendet që pretendojnë anëtarësimin si mjete lobimi për marrjen e vendimeve.
Sa i përket çeljes së negociatave për Shqipërinë, situata nuk ka ndryshuar me Francën si një kundërshtare me peshë e çeljes së negociatave, e përkrahur nga vende si Holanda dhe Belgjika.
Më herët është spekuluar se qëndrimi negativ i Francës për zgjerimin ka qenë i lidhur me zgjedhjet për Parlamentin e BE-së dhe ndikimin që një vendim i tillë mund ta ketë në këto zgjedhje. Rezultatet e zgjedhjeve nuk përmbushën frikën e forcimit të së djathtës në nivel evropian, por pozita e Presidentit Makron është goditur, pasi partia e tij humbi kundrejt ekstremit të djathtë të udhëhequr nga Marine Le Pen në Francë. Mbetet të shihet se si ky rezultat do të ndikojë në qëndrimin francez.