Sot dhe nesër do të zhvillohet pelegrinazhi në Kishën e Shna Ndout në Laç, por në kushtet kur jemi ende në gjendjen e fatkeqësisë natyrore nuk dihet si do të ruhet distancimi social, ndërkohë aty grumbullohen mijëra njerëz.

Sipas kryeministrisë, deri më datë 23 Qershor, kur është edhe gjendja e fatkeqësisë natyrore do të mbeten të mbyllura aktivitetet kulturore, kinematë, teatret, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferencat dhe dëgjesat publike.

Por pavarësisht kësaj, policia e Lezhës ka publikuar planin e masave për sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas pelegrinazhit.

Masat e marra
– Nga ora 08:00 datë 12.06.2020 – ora 24:00 datë 13.06.2020 do të kufizohen disa segmente rrugore në lëvizjen dhe parkimin e mjeteve, të cilat janë:|
-“Nga kryqëzimi i Gjykatës – Kisha e Shna Ndout”
-“Nga kryqëzimi i Poliklinikës – Kisha e Shna Ndout”
-“Nga kryqëzimi i gjimnazit – Kisha e Shna Ndout”
-“Nga pallati 113 – Kisha e Shna Ndout”

Në këto segmente rrugore do të qarkullojnë vetëm mjete të licencuara dhe të përcaktuara nga Bashkia Laç, mjetet e Kishës, mjetet e personaliteteve të larta shtetërore, mjetet e emergjencave civile, zjarrfikësja, ambulanca dhe Policia.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë thotë se kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve që të përdorin akse dhe drejtime të tjera lëvizjeje, pasi do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar në mbarëvajtjen dhe garantimin e masave të sigurisë rrugore.

Kufizime të tjera rrugore

– Nga kryqëzimi i gjimnazit deri te kryqëzimi i varrezave do jetë rrugë vetëm për këmbësorët.

– Nga mbikalimi i Patokut për në qytet Laç nuk do të lejohen të hyjnë mjete të tonazhit të rëndë, pasi bëhen shkak për bllokimin e qarkullimit rrugor.

– Mjetet do të parkohen në vend parkingje të përcaktuara nga Bashkia Laç. Nuk do të lejohen parkime në vende që bëhen pengesë për qarkullimin e lirë të mjeteve.

Policia e Lezhës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve të Laçit dhe të pelegrinëve, përdorues të rrugëve për tek Kisha, drejtues mjetesh apo këmbësorë, që të respektojnë dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë në lidhje me drejtimet e lëvizjeve apo parkimet e mjeteve, një ndihmë kjo në menaxhimin e fluksit të lartë për një mbarëvajtje sa më të mirë të pelegrinazhit.

Artikulli paraprakVRANËSIRA DHE LUHATJE TË TEMPERATURAVE! JA SI DO TË JETË MOTI PËR DITËN E SOTME
Artikulli tjetërPAS PROVIMIT TË GJUHË- LETËRSISË, MATURANTËT NË PROTESTË: PYETJET ABSTRAKTE, TË RIVLERËSOHEMI