25 nëntori, Dita ndërkombëtare për eleminimin e dhunës ndaj grave, nuk është një datë e rastësishme. Është kujtimi i një vrasjeje të tmershme të ndodhur në Republikën Domenikane, ku 3 motrat Mirabal, të konsideruara si revolucionare u torturuan, masakruan dhe u mbytën.

Sigurisht që prej asaj kohe, gjërat kanë ndryshuar, por mjafton të hedhim sytë përreth, të shfletojmë faqet e gazetave, të ndjekim kronikat e zeza të lajmeve që të kuptojmë që dhuna ndaj grave ekziston, madje shpesh është e fshehur brenda muajve të shtëpisë. Të dhënat e fundit flasin për rritje të numrit të rasteve të denoncimit të dhunës në familje. Mbi 128 raste të dhunës në familje janë denoncuar nga vetë viktimat. Sipas të dhënave të policisë, janë 51 bashkëshortë që janë arrestuar për dhunën në familje. Përgjatë muajve maj, qershor dhe korrik gjykatat kanë dhënë 159 urdhra mbrojtjeje. Kryeqyteti mban edhe numrin më të madh të rasteve të dhunës të denoncuara ku është trefishuar numri i grave që iu drejtohen atyre, për të denoncuar bashkëshortët dhunues. Në Shqipëri gati 1 në 3 gra kanë provuar të paktën një herë në jetë dhunëgjatë jetës së tyre. E pra, të dhënat janë shqetësuese. Pikërisht për këtë arsye institucioni i Avokatit të Popullit e ka pasur gjithnjë në fokus të punës dhe në qendër të vëmendjes trajtimin e fenomenit të dhunës ndaj grave. Mbi këtë temë, Avokati i Popullit ka dorëzuar në Kuvend një Raport të Veçantë me rekomandime dhe konkluzione që do të conin në minimizimin e dhunës ndaj grave. Për hërë të parë instituconi i Avokatit të Popullit ka paraqitur një raport alternativ mbi zbatimin e Konventës CEDAW (Konventa mbi Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave). Nëçdo dalje publike, Avokati i Popullit ka ngritur zërin për marrjen e disa masave, të cilat do të sillnin minimizimin e këtij fenomeni, siç janë: – Integrimi gjinor duhet të jetë pjesë e gjithë politikave sociale, ekonomike dhe politike në Shqipëri për të pasur arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm nëpërmjet shfrytëzimit të potencialit të plotë njerëzor të vendit, sikurse dhe garantimit të gëzimit të këtyre arritjeve nga të gjitha grupet shoqërore. – Kërkohet zbatimi i masave të parashikuara në Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe kundër Dhunës me Bazë Gjinore dhe asaj në Familje 2011-2015, të cilat kërkojnë krijimin e procedurave dhe mundësive për nënkontraktimin e OJF-ve, për të ofruar shërbimet përkatëse për viktimat e kësaj dhune. – Aplikimin e politikave lidhur me pjesëmarrjen e grave dhe vajzave nga skemat e mbështetjes me të ardhura, në programe aktive punësimi, formimi profesional dhe ritrajnimi me synim përmirësimin e gjendjes ekonomike të grave. – Rritjen e punës së organeve të policisë dhe drejtësisë, me qëllim identifikimin e autorëve të veprave penale të dhunës ndaj grave dhe dënimin e tyre në një kohë sa më të shkurtër. – Ngritjen dhe forcimin e mekanizmave për barazinë gjinore në nivel qendror dhe vendor, veçanërisht shpejtimin e procesit për emërimin e nëpunësve gjinorë në strukturat e ministrive dhe të nëpunësve vendorë për çështjet gjinore në bashkitë e vendit. Në shqipëri nuk mungojnë ligjet për të luftuar dhunën ndaj grave, tashmë kemi nevojë për një revolucion kulturor, duke nisur që nga shkollat, me qëllim që fëmijët që po rrisim të bëhën bij, të bëhen prindër, të bëhen partnerë dhe bashkëshortë më të mirë.

Artikulli paraprakVEPRIMTARIA SHKENCORE: “PERSONALITETE TË KULTURËS SHQIPTARE”
Artikulli tjetër“LORO BORIÇI” MERR PAMJEN E TIJ, NE SHKURT INAGURIMI