Kjo e premte shënon 2 vjetorin e tërmetit tragjik, që tronditi vendin mëngjesin e 26 nëntorit të vitit 2019, ku për pasojë humbën jetën 51 qytetarë dhe mbi 1000 të tjerë u plagosën.
Tërmeti shkaktoi gjithashtu dëme shumë të mëdha materiale dhe shembjen e qindra banesave, duke lënë të pastrehë shumë banorë në disa zona të qytetit të Durrësit, Fushë-Krujës, Laçit, Lezhës e Tiranës, ndërkohë që ende sot banorët nuk janë sistemuar nëpër banesa.
Mëngjesi i 26 nëntorit ku vendi u trondit nga një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës rihter la një plage të pashërueshme për familjet dhe të afërmit e 51 viktimave të tij.
Lëkundjet e forta sizmike sollën edhe shumë panik në të gjithë vendin, jo vetëm në atë ditë por edhe për muajt më pas, duke sjellë panik për shumë qytetarë shqiptarë.
Gjithashtu tërmeti solli edhe solidarizimin e të gjitha shteteve botërore, duke e shprehur nëpërmjet ndihmave të shumta financiare, apo sjelljen e shumë prej forcave të kërkim-shpëtimit, të cilët luftuan për nxjerrjen e trupave nën gërmadha bashkë me forcat shqiptare.
Viti 2019 do të mbahet mend gjatë si një vit zie për shkak të këtij tërmeti që mori 51 jetë plot ëndrra.