Teksa sot GJKKO pret që ta marrë në pyetje, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se është i gatshëm që të paraqitet në çdo kohë, por nuk do të pranonte kurrë që të shkelte kushtetutën.

Ai u shpreh se është i gatshëm të ndryshohet Kushtetuta sa i përket ligjit për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë në raste të tilla, por jo të “menderoset” kjo e fundit, duke lënë të kuptohet se mund të mos pranojë të merret në pyetje ditën e sotme në GJKKO.

Berisha përfundoi duke thënë për gazetarët se “piramida e trillimit” do të shembet dhe ai vetë nuk do të pengojë asnjë proces hetimor ose gjyqësor.

Kujtojmë se Berisha është nën hetim nga SPAK nën akuzën e korrupsionit pasiv, për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

“Për vendimet antikushtetuese. Se bëj për vete këtë. Siç e dini ju, jam njeriu që kam dërguar në parlament ligjin i cili vendoste barazinë e plotë mes çdo zyrtari dhe zyrtarit në Kushtetutë. Këtë ligj e ktheu me forcën e kartonit Rama. Jam gati ta votoj nesër. Përderisa ky ligj është në kushtetutë, nuk pranoj asnjë kompromis për shkeljen e tij. Po konsultohem me juristë.

Në çdo kohë jam i gatshëm të paraqitem për t’u pyetur dhe për ccdo gjë. E vetmja gjë që nuk pranoj është të shkel kushtetutën e vendit. Të ndryshojmë kushtetutën. Jam autori i ligjit që kjo mbrojtje të mos ekzistojë. Hajde të ndryshojmë kushtetutën, por ta menderosim kushtetutën. Piramida e trillimit, mashtrimit e falsifikimit do të shembet dhe u garantoj se nuk pengoj asnjë proces hetimor, gjyqësor, etj”, tha Berisha.

Artikulli paraprakNGA DHUNA SEKSUALE, TE DROGA E PORNOGRAFIA, MINISTRIA E BRENDSHME PROPOZON NDRYSHIME NË KOD PËR FORCIMIN E SIGURISË NË SHKOLLA
Artikulli tjetërPRESIONET MBI FAMILJEN, RRITEN KOSTOT PËR FËMIJËT DHE TË MOSHUARIT