Anglia dhe Kroacia përballen sot në orën 20.00 në Moskë në gjysmëfinalen e Botërorit Rusi 2018 për një biletë historike në finale e madhe.

Të dyja skuadrat kur erdhën në këtë Botëror llogariteshin ndër emrat e fortë, por jo ndër favoritët kryesorë, por tashmë gjërat kanë ndryshuar.

Hera e fundit që Anglia ka luajtur në këtë fazë të Kupës së Botës ishte viti 1990 dhe “Tre luanët” u mposhtën nga Gjermania me penallti, në Torino,

ndërsa Kroacia, në Botërorin e parë që mori pjesë si shtet i pavarur, arrit deri në gjysmëfinale ku u mposht me përmbysje 1-2 nga Franca në vitin 1998.

Ishin breza të artë atëherë me anglezët që kishin emra si Gary Lineker dhe Paul Gascoigne, ndërsa kroatët Davor Shuker e Zvonimir Boban.

Tani një epokët tjetër dhe breza të tjerë, por sërish supertalente. Anglia me Kane, Sterling, Alli e shumë yje të tjerë relativisht në shomë të re ka fuqi, talent dhe sidomos traditë, por më pak eksperiencë se yjet e Kroacisë.

Luka Modric, “dirigjenti” i kroatëve ka fituar 3 champions League rresht me Real Madrid. Kampion Europe po me Realin është shpallur edhe Mateo Kovacic, edhe pse jo si titular si Modric.

Mario Mandzukic, “shpirti” i kësaj skuadre ka fituar vite më parë një Champion me Bayern dhe ka luajtur një finale të këtij kompeticioni me Juventusin. Champions ka fituar edhe Rakitic me Barcelonën.

Ndërsa gati gjithë lojtarët e tjerë luajnë në klubet më me emër në Europë.

“Të gjithë për një, një për të gjithë”, kjo u pa edhe në 1/8-at kundër Danimarkës, ku Modric gaboi dhe skuadra me Subasic në krye, falë karakterit të treguar arriti të kualifikohej.

Kjo Kroacia nuk është më një surprizë dhe nëse ka një skuadër e cila i ka të gjitha letrat në rregull për të qenë ballkanasja e parë, kampione e Botës është pikërisht skuadra e drejtuar nga ish trajneri i Dinamos sonë, Zlatko Daliç.

Pavarësisht se ka shumë elementë të veçantë, forca më e madhe Kroacisë është grupi. Vrsaljko do të jetë mungesa e madhe e Dalic për këtë ndeshje kaq të rëndësishme,

ku do thirret për të plotësuar bushllëkun në krahun e djathtë të mbrojtjes veteran Corluca. Trajneri kroat nuk pritet të bëjë asnjë ndryshim tjetër në formacionin titular.

Nga ana tjetër anglezët besojnë se mund t’iu ketë ardhur dita që të përsërisin lavdinë e 52 viteve më parë, kur festuan në 1966 trofeun e vetëm të Kupës së Botës.

Gareth Sauthgate ka krijura një grup kompakt me talentet e reja që ka në dispozicion duke arritur atë çka i ka munguar Anglisë ndër vite. Trajnerin Southgate nuk ka shqetësime të reja për të raportuar,

por përballet me një sfidë taktike, me potencialin e rrotullimit të trios ofensive të mesfushës: Jesse Lingard, Dele Alli dhe Raheem Sterling, për të shtuar një tjetër mesfushor mbrojtës, që të “shuajë” Luka Modric.

Çështja e rraskapitjes fizike të skuadrës kroate është një shqetësim për ndeshjen kundër Anglisë, e cila është relativisht e pushuar, pasi e mposhti Suedinë 2-0 gjatë kohës së rregullt.

Sulmuesi Harry Kane kryeson garën e “Këpucës së Artë” të Botërorit për momentin, me gjashtë gola, dhe pritet të jetë pikë referuese për të tijtë, edhe një herë, kundër Kroacisë.

Historiku midis dy skuadrave është në favor të britanikëve. Anglia ka fituar katër nga shtatë ndeshjet e luajtura kundër Kroacisë, përfshi suksesin 5-1 në sfidën e fundit zyrtare, në eliminatoret e Kupës së Botës 2010.

Anglia dhe Kroacia nuk janë ndeshur kurrë në një Kupë të Botës. Përballja e tyre e vetme në një turne madhor ka qenë në Euro 2004, ku anglezët fituan 4-2.

Gjithsesi kjo është CV-ja, ajo që lojtarët do të tregojnë sot në fushë do të përcaktojë edhe triumfuesin që do shkruajë historinë.

Artikulli paraprakRRITJA ZYRTARE, SA SHTOHEN PENSIONET NGA KORRIKU, JA TABELA
Artikulli tjetërRAMA DHE TSIPRAS TAKOHEN NË LONDËR: ZGJIDHJA PËR MARRËVESHJET DO ARRIHET SË SHPEJTI