Sot heshtje zgjedhore! Pas 1 muaji fushatë, e përmbyllur një mbrëmje më parë, e shtuna shënon heshtje zgjedhore për të gjitha palët politike, që garojnë këtë 14 maj në 61 bashkitë e vendit.

Të dielën, votuesit shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 61 kryetarët e rinj të bashkive, si edhe përfaqësuesit në Këshilla Bashkiakë. Në këto zgjedhje vendore 3.650.550 shtetas shqiptarë kanë të drejtën e votës, ndërsa 122.545 zgjedhës votojnë për herë të parë. Në 61 bashki të vendit do të jenë të hapura 5.211 qendra votimi nga ora 07:00-20:00.

Rreth 140 kandidatë të subjekteve politike synojnë të marrin drejtimin e bashkive të vendit, por do të jenë qytetarët ata që me votën e tyre do të zgjedhin përfaqësuesit e pushtetit vendor, si edhe Këshilltarët për Këshillat Bashkiakë. Këto zgjedhje opozita pritet të kthehet në institucionet e pushtetit vendor pas katër vjet mungese për shkak të bojkotit në zgjedhjet e vitit 2019. Gjatë kësaj periudhe socialistët drejtuan gjithë bashkitë e vendit, përveç Shkodrës.

Pothuajse në të gjitha qendrat e votimit do të bëhet identifikimi elektronik i votuesve, ndërsa në vetëm 3 bashki të vendit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka implementuar votimin Elektronik. Këto zgjedhje në Kamëz, Vorë dhe Elbasan do të votohet në mënyrë elektronike dhe rezultati në këto bashki pritet të dalë brenda 10 minutave.

 

Artikulli paraprakFUNDJAVA DO TË JETË PADYSHIM POZITIVE, ÇFARË THONË YJET PËR JU SOT
Artikulli tjetërPO TRANSPORTONTE 10 EMIGRANTË TË PALIGJSHËM KUNDREJT PAGESËS, ARRESTOHET 36-VJEÇARI NË HANIN E HOTIT