Besimtarët bektashianë festojnë sot Ditën e Sulltan Novruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu në Qabe, në të cilën sipas legjendës çdo gjë ringjallerohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin.
Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Një vit më para festa e Sulltan Novruzit u festua në kushtet kur gjithë i vendi ishte izoluar për të parandaluar përhapjen e virusit COVID.
Në vendin tonë festa e Novruzit mbahet me 22 mars, por Viti i Ri Persian nis më 21 mars dhe vende të ndryshme të botës, celebrimet kryen nga 21 marsi deri në 24 mars, sipas lokaliteteve.
Kjo ditë cilësohet në mbarë botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.Në Shqipëri Dita e Sulltan Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.
Bektashinjtë janë të përhapur në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas synitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman. Përfaqësuesit e Bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë luftës për Çlirim.
Qendra botërore e Bektashinjve ndodhet në periferi të Tiranës, dhe përbëhet nga një Teqe impresionuese me një museum fantastik dhe të pasur në katin e parë dhe një dyqan të vogël dhuratash për vizitorët që duan të blejnë suvenire të këtij sekti.
Teqeja është e zbukuruar fund e krye me mozaikë mermeri me forma dhe ngjyra të mrekullueshme.
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ka uruar besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Novruzit.
Basha shkruan se shpreson që kjo ditë e bekuar të jetë një ogur i mbarë për çdo familje që sot i lutet Zotit për të mirën, shëndetin dhe ngadhënjimin mbi të keqen.
Me rastin e 22 Marsit, Ditës së Sulltan Novruzit dhe 30-vjetorit të rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Me këtë rast, Kryetari Ruçi ka uruar besimtarët bektashinj dhe të gjithë shqiptarët, për këtë ditë të shënuar.
Në letrën drejtuar baba Mondit, Ruçi shkruan se Bektashizmi ka qenë në çdo kohë një pasuri e madhe shpirtërore, kulturore dhe njerëzore për shqiptarët dhe bektashinjtë rrezatues, misionarë dhe edukatorë të atdhetarizmit, solidaritetit, tolerancës dhe humanizmit.
Ai shkruan se këto vlera dhe këtë forcë të madhe shpirtërore, bektashinjtë e treguan edhe gjatë dekadave kur dhuna politike i ndaloi të ushtronin ritet e tyre në komunitet, në teqetë dhe vendet e shenjta.
“Ju përshëndes edhe njëherë të gjithëve, ju, pjesëmarrësit në festë, besimtarët bektashinj dhe të gjithë shqiptarët dhe ju uroj shëndet e gëzime në vatrat familjare.”, shkruan në fund Ruçi.
Presidenti Ilir Meta përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ka uruar qytetarët me rastin e Festës së Sulltan Novruzit.
Meta shkruan se një shpresë e re po lind dhe një epokë me mundësi të reja po çel bashkë me rigjallërimin e natyrës.
“Diell dhe Pranverë në zemrën e çdo shqiptari!”, shkruan presidenti në fund.
Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarë bektashinj për festën e ‘Sulltan Novruzit’.
‘Gëzuar Ditën e Sulltan Novruzit të gjithë Komunitetit Bektashian’- uron kreu i qeverisë në rrjetet sociale.