Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet ditën e sotme, ndërsa në rendin e ditës janë parashikuar një sërë çështjesh, mes tyre edhe një interpelancë e kërkuar nga deputeti Nasip Naço me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.

Edhe këtë seancë, 6 deputetë të Rithemelimit janë të përjashtuar pas situatës kaotike që krijuan në parlament javën e kaluar. Bëhet fjalë për Gazmend Bardhin, Bledion Nallbatin, Flamur Nokën, Edi Palokën dhe Albana Vokshin që janë përjashtuar me 10 ditë, ndërsa Saimir Korreshi me 3 ditë.

Por, pavarësisht masës disiplinore të marrë nga Komisioni i Etikës me propozimin e PS, deputetët e Sali Berishës kanë paralajmëruar sërish kaos ditën e sotme. Ishte Gazment Bardhi që një ditë më parë tha se do të jenë të pranishëm në seancë, ndonëse janë të përjashtuar. Po ashtu edhe Berisha tha se opozita do të luftojë për të drejtat e saj.

Rithemelimi ka ndërmarrë akte ekstreme në Kuvend duke mos lejuar prej disa javësh zhvillimin normal të seancave. PD e Lulzim Bashës është distancuar nga këto akte, duke thënë se një opozitë e dhunshme i shërben Edi Ramës.

Artikulli paraprakDO GJENI NJË MËNYRË PËR TË KAPËRCYER PROBLEMET NË DASHURI, ÇFARË THONË YJET PËR JU SOT
Artikulli tjetërRAMA NDAN PAMJET: VIJON PUNA NË KANTIERIN PRANË URËS SË BUNËS PËR TRANSFORMIMIN E HYRJES SË SHKODRËS