Ditën e sotme do të mblidhet Kuvendi në orën 10:00. Deputetja e PD, Ina Zhupa ka kërkuar interpelancë me ministren e Kulturës Elva Margariti. Gjithashtu do të miratohen emrat e deputetëve që do të angazhohen për Reformën Territoriale dhe Zgjedhore.
Dy kryetarët e Reformës Territoriale do të jenë Benet Beci nga PS-ja që do të bashkëdrejtojë me Dhurata Çupin nga PD-ja. Ky grup do të përbëhet nga 16 anëtarë, 8 nga mazhoranca dhe 8 opozita, duke përfshirë edhe Vangjel Dulen dhe Mesila Dodën. Reforma Zgjedhore dhe Territoriale janë konsideruar si “2 kuajt” e betejës së opozitës, me të cilat “kushtëzuan” edhe votat për zgjatjen e afateve të Vettingut.
Në seancë plenare do të diskutohet raporti i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2021, projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Shqipërisë dhe BERZH” për financimin shtesë për projektin ‘Përmirësimi i Sistemit të Shëndetësisë’, për të cilin ka pasur debate në Komisionin e Ligjeve.
Do të diskutohen edhe projektvendime për zgjedhjen e anëtarëve të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit.