Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do u japë mandatin edhe gjashtë kandidatëve nga listat vijuese të PD-së dhe LSI-së. Kandidatët që kanë pranuar që të marrin mandatin janë tre nga lista e PD-së dhe tre nga lista e LSI-së duke e çuar në 10 numrin e kandidatëve nga listat e partive opozitare

në zgjedhjet e 2017-ës, që deri më tani kanë pranuar mandatin e deputetit. Së bashku me Lefter Kokën nga LSI, Mylsim Murrizin dhe Rudina Hajdarin

nga PD, opozita e re në Kuvend, pas djegies së mandateve në bllok nga PD-LSI dhe aleatët e djathtë, tashmë jo parlamentarë, shkon deri më tani në 13 deputetë.

Kështu opozitës së re, i shtohen edhe emrat e Lefter Maliqit, Ligoraq Karamelos, Majlinda Halilit, Edlira Hysenit, Ediola Brahës dhe Elda Hotit. Më herët mandatin e pranuan edhe katër emrat nga listat e LSI-së; Ylli Shehu, Enver Roshi, Edmond Rrushaj dhe Aurora Mara.

Pas djegies së mandateve nga deputetët e PD-së dhe LSI-së në Kuvend po formohet një opozitë e re, pasi një pjesë e emrave nga listat e këtyre partive kanë dalë kundër vendimeve të grupeve duke pranuar mandatin.

Kandidatët që do të marrin mandatin;

Lefter Maliqi-qarku Berat në vendin e Astrit Veliajt nga PD-ja
Ligoraq Karamelo-qarku Korçë në vendin e Klevis Balliut nga PD-ja
Majlinda Halili-qarku Tiranë në vendin e Gent Strazimirit nga PD-ja

Edlira Hyseni-qarku Durrës në vendin e Nora Malajt nga LSI-ja
Elda Hoti-qarku Lezhë në vendin e Viktor Tushajt nga LSI-ja
Ediola Braho-qarku Gjirtokastër në vendin e Vangjel Tavos nga LSI-ja

Ndërkohë që në mbledhjen e sotme, do të regjistrohen edhe katër parti të reja në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Mes partive që kanë dorëzuar dokumentacionin për t’u regjistruar në zgjedhje është edhe Partia Kombëtare Konservatore Albania e drejtuar nga Kujtim Gjuzi, i cili gjithashtu ka deklaruar se do të pranojë mandatin e deputetit nga listat e PD-së.

Partitë e tjera që do të regjistrohen janë; Partia Uniteti Kombetar, Partia Socialiste e Moderuar, Partia Emigracioni Shqiptar.

Artikulli paraprakFILO: JO TEC NË KORÇË! KLOSI: NUK E MIRATOJMË! S’PËRMBUSH STANDARDET
Artikulli tjetërSHQIPTARËT JETOJNË PËR T’U USHQYER, NJË E TRETA E EKONOMISË SHKON PËR BUKË