Sot në Muzeun Historik Kombëtar do të mbahen homazhet për nder të mjeshtrit të madh të skenës, aktorit Mirush Kabashi i cili ndërroi jetë ditën e djeshme në moshën 75 vjeçare.
Homazhet për ikonën e artit shqiptar do të mbahen duke nisur nga ora 10:00-13:00 në hollin e Muzeut.
Në orët e para të mëngjesit të djeshëm (5 dhjetor) u dha lajmi i trishtë për ndarjen nga jeta të Mirush Kabashit i cili prej vitesh vuante nga një sëmundje e rëndë për të cilën ishte kuruar edhe nnë Shqipëri.
Mirush Kabashi la pas bashkëshorten, dy vajzat, dashamirësinë e kolegëve dhe njerëzve të thjeshtë, që i fitoi me talent e qytetari. Për ndarjen e tij nga jeta pati reagime të shumta nga kolegët e tij, të cilët e cilësuan si të papërsëritshëm, duke theksuar se Kabashi kujdesej që çdo roli që kishte t’i jepte nuancën e duhur deri në perfeksion.
Jeta në skenë e film
Mirush Kabashi la pas një trashëgimi të pasur artistike, si aktor i rreth 100 roleve në teatër dhe filma. Ai është cilësuar gjithashtu edhe si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Origjina e tij është nga Gjakova.
Në vitin 1970 ai u diplomua si aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, ndërsa nga 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar.
Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë se Aktorit” pranë Akademisë së Arteve. Ai është nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Çmimet
Në festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 Kabashi u shpall “Aktori me i mire” me rolin e Sadush Nezirit te komedia Hija e tjetrit e Ruzhdi Pulahes. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si nder aktorët më të mirë. Ne vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit.
Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës.
Filmografia
* Kronikë provinciale (2009)
* Ne dhe Lenini (2008)
* Nata (1998)
* Edhe ashtu edhe kështu (1989)…. Babai i Almës
* Binarët (film) (1987)
* Telefoni i një mëngjesi (1987)….Kujtimi
* Zëvendësi i grave (1987)……… Lisimak Voci
* Nxënësit e klasës sime (1984)..Mësues Nardi
* Kohë e largët (1983) ………Asketi Lithan
* Dora e ngrohtë (1983) ………Brahushi
* Shoqja nga fshati (1980) ………Nasi (dajua i Tirkes)
* Një ndodhi në port (1980) ……….Calamani
* Gëzhoja e Vjetër (1980) ………Bake
* Radiostacioni (1979) ……Një nga tekniket e Radios
* Koncert në vitin 1936 (1978)… Toger Shazivari
* Zani partizani (1976) (TV)….Partizan-vëlla i Zanit
* Emblema e dikurshme (1976) ……..Veniamin Papa