Partia Demokratike do të mbledhë Këshillin Kombëtar ditën e sotme në orën 18:00. Kjo do të jetë mbledhja e parë pas Kuvendit të 30 prillit, që zgjodhi edhe anëtarët e rinj të këtij organi të rëndësishëm. Qëllimi i mbledhjes nuk është vetëm konstituimi por edhe do të përcaktohet qëndrimi politik i PD për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, për të cilin Alibeaj duket se është më bashkëpunues me mazhorancën ndërsa Komisioni i Rithemelimit vendos kushte se do të futen në negociata vetëm nëse mazhoranca do të pranonte kandidatin e tyre.
Anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD janë edhe Enkelejd Alibeaj, Lulzim Basha, Gazment Bardhi dhe të gjithë deputetët e tjerë që nuk i janë bashkuar Berishës. Nëse do të jenë apo jo në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të ditës së sotme, kjo mbetet për tu parë edhe pse kjo ka pak gjasa të ndodhë.
Ndërkohë, Partia Demokratike duket se po has vështirësi për të gjetur gjuhën e përbashkët brenda vetes pasi ditën e djeshme, Enkelejd Alibeaj mblodhi grupin parlamentar të PD. Mbledhja u shoqërua me debate të ashpra ndërsa kishte deputetë që kërkonin të shtyhej takimi për një ditë tjetër në mënyrë që të bashkoheshin edhe mbështetësit e Berishës. Alibeaj bëri të qartë 2 qëndrime, së pari që PD-ja nuk do e bojkotojë procesin e konsultimeve, pasi shumica e të pranishmëve ishin ‘pro’ uljes në tryezë me mazhorancën, por që të mos lejohen që të përdoren, nisur edhe nga fakti që Edi Rama i ka votat për ta zgjedhur të vetëm presidentin.
Pika e dytë ishte se nga ky proces, tha Alibeaj, do të merret edhe mendimi i grupit të mbështetësve të Sali Berishës. Për këtë, deputetët duhet të dorëzojnë deri të dielën kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes dhe më pas Alibeaj do te bëjë përmbledhjen e qëndrimeve dhe dokumenti do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Grupit Parlamentar, ku do të jetë i ftuar dhe Komisioni i Rithemelimit. Pasi të arrihet dakordësia për këto 2 hapa, atëherë do opozita do të dalë me emra konkret për t’u ulur në tryezë me socialistët.