Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka paralajmëruar të gjithë sportdashësit se në ndeshjen e sotme do duhet të mos përsëritet asnjë rast të dhunës. Balla tha se do të ketë masa drastike për të gjithë ata që cenojnë qetësinë dhe procesin e ndeshjes.

Ministri Balla kërkoi të mos ketë asnjë tolerim që mund të cenojë sigurinë e ndeshjes.

“Janë disa problematika që duhet t’i ndajmë me publikun, duke nisur nga kontrolli i biletave që do të bëhet pa hyrë në stadium, kur bëhet kontrolli fizik edhe kontrolli me pajisje e cila verifikon vlefshmërinë e biletës. Policia ka marrë masat për të luftuar falsifikimin e biletave dhe kushdo që do tentojë do të ndiqet nga policia dhe prokuroria. Nisur nga ndeshja me Poloninë, Federata ka marrë vendime për të penguar disa persona të hyjnë në stadium, identitetet e tyre janë publike. Këto shembuj do të ndiqen dhe për ndeshjet e tjera sportive në vend. Nga FSHF na duhet që për personat që ka vendim gjykate, të përjashtohen nga eventet sportive.

Dua të jem i qartë me sportdashësit dhe tifo-grupet, nuk do të tolerohen raste dhune dhe masat do të jenë drastike. Jemi duke studiuar që Policia të rimarrë sigurinë për ndeshjet e mëdha, për mbarëvajtjen e tyre në bashkëpunim me FSHF. Për të gjithë sportdashësit dua të përsëris thirrjen për të mos tentuar të hyjnë me lëndë piroteknike, të cilat sjellin dëmtime të imazhit të vendit. Të rritim vigjilencën para ndeshjes dhe gjatë kontrolleve. Do të kemi një numër rekord punonjësish policie të angazhuar për sigurinë publike.

Kërkoj mirëkuptimin e gjithë tifozëve, qytetarëve dhe atyre që vijnë nga jashtë Shqipërisë, si Presheva, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i zi, apo dhe diaspora, të kuptojnë që mbërritja në stadium të mos jetë orën e fundit, por të jetë e shtrirë në 3 orët që paraprinë eventin për të bërë verifikimet e duhura. Jam shumë i sigurt që do shkojë mirë”, nënvizoi ministri në takim.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit informoi mbi masat e detajuara, duke nisur nga kontrolli i ambienteve të brendshme të stadiumit.

Policia do të marrë nën kontroll dyert e emergjencave.

Kreu i FSHF Duka u shpreh se qoftë policia apo Federata nuk mund tja dalë pa bashkëpunimin e atyre që do jenë në stadium.

“Uroj të jetë festë me rezultat”, theksoi Duka, duke falënderuar ministrin Balla dhe drejtuesit e Policisë.

Ministri tha se edhe nëse ka një rast, me flakadan në stadium publiku duhet të kuptojë se ndeshja e radhës në 20 nëntor, do zhvillohet në gjysmë apo fare pa tifozë.

“Kush do që t’i bëjë dëm Kombëtares Kuqezi, do jetë ai që vjen me flakadan, ndaj ne do jemi të përgatitur që të reagojmë fort. Nuk mund të dëmtojmë ëndrrën për të shkuar për herë të dytë në Europian me veprime keqdashëse, sepse ato veprime nuk janë më tifozeri, por veprime keqdashëse”, ishte mesazhi i ministrit Balla.

Artikulli paraprakSOT SEANCË E POSAÇME NË KUVEND! OPOZITA DHE PS REZOLUTË TË PËRBASHKËT PËR KOSOVËN
Artikulli tjetërPREZANTOHET DREJTORI I RI I POLICISË SHKODËR EDMOND SULAJ