Ditën e sotme (18 shtator) nis Censi i Popullsisë dhe Banesave. Mbi 7 mijë e 500 anketues, mbikëqyrës dhe kontrollorë të trajnuar nga Instituti i Statistikave janë angazhuar për numërimin e të gjithë popullsisë dhe banesave dhe të dhënat do të mblidhen në 6 javë.
I gjithë procesi i Censit do të kryhet në mënyrë dixhitale përmes një tableti. Regjistrimi do të ofrojë të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera. Pyetësorët janë me tetë module dhe 100 pyetje.
Në modulin për individ do të përfshihet një informacion të gjerë për statusin civil, arsimin, punësimin e të tjera. Po ashtu, do të ketë modul për shtëpitë, sektorin e bujqësisë dhe sektorë të tjerë. “Etniciteti, Gjuha, feja”, janë tre pyetjet e vetme të formularit që nuk janë të detyrueshme për t’u përgjigjur. Për ata qytetarë që nuk do t’u përgjigjen pyetjeve apo të japin përgjigje të rreme ka penalitete! Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli shpjegoi se penaliteti nis nga 50 mijë lekë gjobë.
Procesi i marrjes së të dhënave në terren do të zgjasë gjashtë javë dhe mbyllet me 28 tetor. Më pas do të publikohen të dhënat e para në qershor 2024, ndërsa më të detajuara në dhjetor 2024.
Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censusi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Censi duhej të ishte realizuar në vitin 2020, por për shkak të pandemisë dhe problematikave të tjera u shtri me tri vite. Censi i fundit është zhvilluar në vitin 2011, ku rezultoi se popullsia ishte 2,821,977, me një rënie prej 8%, nga Censi 2001.
Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 synon të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) për raundin e vitit 2020 të Censeve dhe gjithashtu me rregulloret e fundit të BE-së për zbatimin Censit të Popullsisë dhe Banesave.