Pas betimit dhe zgjedhjes së drejtuesit, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, e njohur ndryshe si SPAK, do të nisë sot zyrtarisht punën. Tetë prokurorët; Altin Dumani, Arben Kraja, Edvin Kondili, Elida Kaçkini, Enkeleda Millonaj, Behar Dibra, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi u betuan dje para kreut të shtetit në Presidencë.

Më pas, KLP-ja zgjodhi drejtuesin për tre vitet e ardhshme, që do të jetë Arben Kraja. Kreu i SPAK, Arben Kraja pas zgjedhjes në këtë post deklaroi se të gjithë ata persona që shkelin ligjin pavarësisht se kush janë duhet të tremben. Kraja kërkoi nga shqiptarët që të kenë besim tek i gjithë grupi i SPAK pasi do të punojnë drejt.

“Besoj se do të e çojmë bashkë me të gjithë të tjerët atë që kemi nisur. Pa diskutim si të gjithë të tjerët. Dosjet ata që janë do të zgjidhen të gjitha me radhë. Ka qenë një nga prioritete tona që kemi vendosur për të rakorduar dhe bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtar për të rivlerësuar opinion negativ për punën tonë. Sot shqiptarët duhet të besojnë se të gjithë ne si grup do të punojmë. I ashpër brenda ligjit kush shkel ligjin duhet të trembet” tha Kraja.

Sot në orën 09:30, kreu i KLP, Gent Ibrahimi bashkë me kryetaret e komisioneve në Këshill, do të jenë prezent në ditën e parë të punës së SPAK tek godina e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Me këtë rast do të prezantohet dhe drejtuesi i SPAK, Arben Kraja.

Artikulli paraprakSTAR TREND – 19.12.2019
Artikulli tjetërSOT TAKIMI I LIDERËVE TË BALLKANIT PERËNDIMOR NË TIRANË, KOSOVA NUK MERR PJESË PËR SHKAK TË VUÇIÇ