Opozita shqiptare do të zhvillojë sot një protestë para Kryeministrisë, për anulimin e zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme Arta Marku, largimin e qeverisë ‘Rama 2’ dhe krijimin e një qeverie antimafia. Grupi i punës për organizimin e protestës ka zhvilluar dje përgatitjet e fundit. Përfaqësuesit e PD dhe LSI në rrethe kanë marrë gjithashtu dje udhëzimet e fundit sa i takon skenarit të protestës, koordinimet ditën e sotme, organizimin e njerëzve etj.

Por, në të njëjtën kohë, ka një përplasje dhe dallim të theksuar mes drejtuesve të opozitës sa i takon retorikës së tyre politike për natyrën e protestës së sotme. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndryshe nga Sali Berisha dhe deri diku nga kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, ka mbështetur linjën e butë dhe paqësore të protestës.

Publikisht, por edhe gjatë tatimeve informale me grupin organizator, Lulzim Basha ka kërkuar që protesta të jetë e kontrolluar dhe paqësore, ndërsa e ka vënë theksin gjithnjë tek masiviteti i saj. E njëjta linjë është konfirmuar edhe në takimin e Bashës me aleatët.Burime pranë PD thanë se direktivat e fundit të Lulzim Bashës parashikojnë një protestë paqësore dhe pa asnjë incident të planifikuar.

Axhenda tjetër

Një axhendë tjetër mësohet se ka Sali Berisha, i cili ka intensifikuar retorikën luftarake, sidomos pas fletëthirrjes së Prokurorisë për Shkëlzenin për dosjen CEZ. Berisha paralajmëroi ditën e enjte përfaqësuesit e mazhorancës se nuk do të gjejnë vend ku të futen në 27 Janar. Sipas burimeve nga grupi organizator, gjatë 24 orëve të fundit, ka përpjekje për të ndryshuar linjën e protestës, me anë të një plani paralel. Plani parashikon konfrontime me policinë, për ta nxjerrë protestën jashtë kontrollit, ndoshta për t’i dhënë një mesazh force kundërshtarit politik, prokurorisë dhe ndërkombëtarëve. Ndërkaq, një pozicion të ndërmjetëm ka kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

Zonja Kryemadhi ka paralajmëruar herë pas herë ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafajn që të ketë kujdes me policinë, ndërsa ka theksuar se skenarin e vërtetë i protestës do ta bëjnë qytetarët në rrugë. Në këto kushte, Policia e Shtetit po mban nën mbikëqyrje më shumë njerëzit e LSI se sa ata të PD, për të evituar zbatimin e një skenari të mundshëm për konfrontime.

Basha: Në protestë me familjen

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar dje se do të dalë sot në protestë me familjen e tij, duke paralajmëruar një protestë paqësore. Pas takimit me aleatët, Basha pohoi se në protestën e sotme nuk do të ketë dhunë. “Kemi rakorduar me aleatët parlamentare të gjithë detajet për ditën e nesërme sa i takon organizimit politik. Jemi në përditësim të lajmeve, të gjitha flasin për një pjesëmarrje gjigande, rekord në protestën e nesërme. Sot ka një marrëdhënie të ndryshme me pushtetin, shumica e qytetarëve nuk ka dyshim se ky pushtet është i kapur nga banditët. Kjo është arsyeja e të gjitha halleve dhe padrejtësive që përjetojnë të gjithë shqiptarët.

Kjo është arsyeja se përse nesër në shesh do të derdhen qindra e mijëra qytetarë, demokratë dhe socialistë. Ne të gjithë do jemi në këtë protestë, unë do jem me familjen time, nuk do ketë luftë, nuk do ketë as spektakël, do jetë një protestë madhështore. Ndaj ejani të gjithë, mos rrini në shtëpi duke mallkuar, mos rrini gojëkyçur”, tha Basha.

Skenari i protestës

Burime kanë bërë të ditur se protesta do të ketë tre itinerare lëvizjesh, që do të shkojnë drejt Kryeministrisë në formë marshimi. Anëtarët, militantët dhe qytetarët që do të vijnë nga qytetet do të kenë pikëtakim tek Sheshi “Skënderbej”, në pritje të marshimit që do të nisë nga selia e Partisë Demokratike, nga ku do të dalë Lulzim Basha. Kreu i opozitës, sipas planit të përgatitur, do të dalë nga selia blu dhe do të ecë përgjatë bulevardit ‘Zhan Dark’, për të mbërritur tek godina e Hotel Dajtit, së bashku me njerëzit që do e shoqërojnë dhe me pankartat. Tek kjo godinë, Basha do i bashkohet qytetarëve që do të vijnë nga sheshi ‘Skëndërbej’, për të marshuar më pas së bashku drejt Kryeministrisë.

Një tjetër itinerar do të jetë nga selia e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Njësoj si PD edhe anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim pikëtakimin do e kenë në sheshin ‘Skëndërbej’, ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi do të vijë nga selia, për t’iu bashkuar protestuesve. Protesta do të shoqërohet nga fjalime politike që do të mbyllen nga Lulzim Basha.

Artikulli paraprakMAKINAT, JA TARIFAT E REJA PËR ZHDOGANIMIN, ÇMIMET E 2018
Artikulli tjetër‘EKSTRADIMI I SEITIT ME SHKELJE’ MASA NDAJ 4 PROKURORËVE/EMRAT