Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë sot seancën publike të radhës për vendimin e Kuvendit lidhur me shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Seanca do të nisë në orën 10:00, pas kërkesës së përfaqësuesit të presidentit të enjten për 48 orë kohë, për të përgatitur përgjigjet për 72 pyetjet që i drejtuan kryetarja e GJK, Vitore Tusha si edhe gjyqtarët Fiona Papajorgji, Përparim Kalo, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Sonila Bejtja dhe Altin Binaj.
Anëtarët e trupës së Gjykatës Kushtetuese i drejtuan 72 pyetje presidencës, që lidhen me qëndrimin e kësaj të fundit për aspektin procedural dhe thelbin e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Metës. Vetë kreu i shtetit ka deklaruar se do i kthejë përrgjigje personalisht, teksa vetëm pak ditë më parë thirrjet “për prerje dore” apo “mprehje të sfurqeve”, tha se ishin metafora dhe epitete.
Seanca e ditës se enjte ishte e dyta e mbajtur nga Gjykata Kushtetuese si pjesë e procesit me objekt shqyrtimin e kërkesës së Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Gjatë seancës së parë të mbajtur të hënën, trupa rrëzoi një kërkesë të presidencës për dorëheqje të tyre, si të pabazuar në ligj.
Në këtë seancë, Kuvendi e mazhoranca përfaqësohen nga Lindita Nikolla, kryetarja e parlamentit dhe Klotilda Bushka e Taulant Balla.