Për herë të parë, pas shumë vitesh, seanca maratonë kur Kuvendi diskuton projekt-buxhetin dhe e miraton në parim do të zhvillohet mes kaosit. Opozita, ajo e Sali Berishës dhe Gazment Bardhit, kanë paralajmëruar se në vazhdën e aksionit të tyre, nuk do të lejojnë zhvillimin e seancës. Formën nuk e kanë zbuluar, duke e lënë mister mënyrën që do të zgjedhin këtë herë për bllokimin e sallës së seancave plenare.

Por, përballë këtyre paralajmërimeve të Rithemelimit, socialistët nuk po qëndrojnë duarkryq. Burime nga selia rozë thonë se vendimi do të merret në varësi të aksionit të opozitës, por skenarët janë tre: buxheti të kalojë në parim pa diskutime.

Në rast se pamundësohet votimi, gjasat janë që seanca të ndërpritet dhe deputetët e maxhorancës të rikthehen të martën për votimin në parim. Nuk përjashtohet as mundësia e një seance online, me deputetë të grumbulluar në kryesinë e Kuvendit, larg sallës së seancave plenare ku opozitarët e Rithemelimit do të vënë në jetë planin e tyre.

Në mesin e pikëpyetjeve për seancën e projektbuxhetit është edhe prezenca e kryeministrit Edi Rama, i cili një vit më parë, pati vetë në seancë peshën kryesore të replikave me Partinë Demokratike, në një seancë maratonë që zgjati 12 orë.

Edhe grupi opozitar që nuk mbështet aksionin, ai i PD zyrtare me Lulzim Bashën dhe deputetët e pakët që e mbështesin, e kanë në pikëpyetje prezencën e tyre në sallë. Ata kanë propozuar 8 amendamente, ndaj prezenca e tyre pritet vetëm nëse do të gjendet hapësira për ta diskutuar buxhetin.

Në seancën e ditës së sotme edhe prezenca e Gardës pritet të jetë më e lartë për të parandaluar përplasjet fizike, ndërsa vigjilenca do të jetë po ashtu e lartë, për të ndaluar futjen e lëndëve piroteknike në sallë.

Artikulli paraprakJU PRET NJË DITË E MREKULLUESHME NË PUNË DHE DASHURI, ÇFARË THONË YJET PËR JU SOT
Artikulli tjetërOKB: 1.3 MILION VIKTIMA TË AKSIDENTEVE RRUGORE NË BOTË