Sot në orën 10:00 do të zhvillohet seanca plenare për të votuar dekretin e shkarkimit të Fatmir Xhafës nga posti i Ministrit të Brendshëm, pas dorëheqjes të shtunën e kaluar.
Seanca nuk do të zgjasë shumë, ndërsa me mjaft interes pritet fjala e kryeministrit Edi Rama, pas paralajmërimit dje nga rrjetet sociale dhe deklaratës në mbledhjen e grupit se Presidenti ka shkelur Kushtetutën.
“Dakordësi e plotë në Grupin Parlamentar. Kuvendi do të miratojë nesër (sot) dekretin e Presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm.
Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendës ministër. Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t’i drejtohem Kuvendit nesër në 10.00”u shpreh Rama dje.
Pas shkarkimit të Xhafës, kryeministri me një vendim të Këshillit të Ministrave do të emërojë Sandër Lleshin zv/ ministër për ta komanduar më pas Ministër të Brendshëm. E gjithë lëvizja me qëllim komandimin e Lleshit vjen pas refuzimit që Meta i bëri dekretit për ta emëruar.
Ilir Meta deklaroi se ‘nuk ka krijuar bindjen’ për ta dekretuar Lleshin duke mos dhënë asnjë arsye, ndërsa dje në zbardhjen e takimit të së dielës me kryeministrin Rama, Presidenca theksoi se kreu i shtetit është gati që ti japë shpjegime Kuvendit për vendimin.
Kjo është hera e parë që ndodh në Shqipëri, që një President të refuzojë dekretin për një ministër, ndërsa veprimi i kreut të shtetit ka hapur një debat nëse Presidenti ka kompetenca për një vendim të tillë.
Ndërkohë që dekretimi i Helidon Bendos në postin e kreut të SHISH mëngjesin e sotëm para seancës plenare për Xhafaj, pritet që të zbusë paksa tonet dhe ‘luftën’ mes qeverisë dhe Presidencës.