Rikthehet futbolli kombëtar, pikërisht Kategoria Superiore. Pushimet verore, përgatitoret e verës dhe përfaqësimet europiane janë lënë pas. Vetëm Skënderbeu ka prekur historinë dhe do të vijojë të luajë në fazën e grupeve të Ligës së Europës, edhe pse ende ka shanse teorike për të vijuar garën në Champions. Lëvizje të shumta lojtarësh nëpër skuadra të ndryshme, riformatime thuajse themelesh në disa prej tyre dhe, në fund të fundit, të gjithë mëtojnë t’i rrëmbejnë kurorën Skënderbeut.
Kemi një debutues në sallonin e “VIP”-ave të futbollit tonë, Tërbunin e Pukës, ndërsa është rikthyer pas një viti Bylisi i Ballshit. Ato kanë zënë vendet e Apolonisë dhe Elbasanit, dy skuadrave që nuk mbijetuan dot në Superiore, sezonin e kaluar.10 skuadra janë vënë në start, ndërkohë që skema e kampionatit vijon e njëjtë, me katër faza. Në finish të garës, dy skuadrat që renditen të fundit do të zbresin nga kategoria. Mbijetesa përfshin jo pak skuadra në letër, ndërsa beteja më intriguese pritet të bëhet në ekstremin tjetër të renditjes, për titullin kampion dhe Kupat e Europës. Skënderbeu, Partizani, Flamurtari, Tirana dhe Kukësi po lakmojnë objektivin madhor, por në fund vetëm njëri do të ngrejë trofeun e shumëdëshiruar. Skuadra korçare ka vendosur tirani në futbollin tonë, në pesë vitet e fundit, duke fituar pesë tituj kampioni radhazi. A do të vijojë në këtë rrugë? Kjo mbetet të shihet, vetëm se paraprakisht të gjithë rivalët e pranojnë: Skënderbeu është skuadra për t’u mundur. Ndërkohë Vllaznia do ta nisë kampionatin një javë më pas për shkak të shtyrjes së ndeshjes me korçarët.