Sot pritet të jetë një ditë e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë pasi do të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të zhvilluar raundin tjetër të bisedimeve rreth propozimit të BE për normalizimin e marrëdhënieve. Në takimin që do të nisë në orën 10:00, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç do të takohen ndaras me përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së para takimit të përbashkët trilateral Kurti-Vuçiç-BE.

Para takimit, Vuçiç nuk është treguar optimist ndërsa dhjetëra protestues mbushën sheshin dhe i kërkonin që të mos pranonte marrëveshjen ose të jepte dorëheqjen. Në fjalimin e tij, Vucic paralajmëroi se Lufta e Tretë Botërore nuk është larg duke dhënë mesazhin se ‘do ruajnë Serbinë e plotë’ duke shtuar se nuk planifikon të nënshkruajë asgjë.

Ndërsa kryeministri i Kosovës është treguar optimist për takimin e sotëm duke e cilësuar si projektin më të madh të BE që nga Lufta e Dytë Botërore. Kryeministri Albin Kurti tha se nuk e mohon Asociacionin e Komunave serbe në Kosovë, por s’pranon që të imponohet si një prej marrëveshjeve më të rëndësishme.

Në fokus të diskutimeve të sotme do të jetë propozimi europian që Kosova dhe Serbia e kanë pranuar këtë propozim më 27 shkurt. Propozimi evropian që përfshin 11 pika për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë konsiderohet si një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon.

Cili është propozimi europian që pritet të nënshkruhet sot

Bashkimi Evropian më 27 shkurt publikoi të plotë tekstin e propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Palët kontraktuese,
Të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes;

Të përkushtuara për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale dhe për të kapërcyer trashëgimin e së kaluarës;

Të përkushtuara të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin e frytshëm rajonal në Evropë;

Të vetëdijshëm për paprekshmërinë e kufijve dhe respektimit të integritetit dhe sovranitetit territorial, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare, janë kushtet themelore për paqen;

Duke vepruar nga fakti historik dhe pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjet e statusit;

Me dëshirën për të krijuar kushte për bashkëpunim midis palëve për të mirën e njerëzve, kanë rënë dakord që:

Neni 1
Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën, mbi bazën e të drejtave të barabarta. Të dyja palët do t’i njohin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Neni 2
Të dyja palët do të udhëzohen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.

Neni 3
Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do ta zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës.

Neni 4
Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5
Asnjëra palë nuk do të bllokojë, ose do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë përparimin e palëve në rrugët e tyre perspektive drejt BE-së bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët duhet të respektojnë vlerat e përmendura në nenin 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6
Përderisa kjo marrëveshje bazë përfaqëson një hap të rëndësishëm të normalizimit, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re në procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, që do të çojë në marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve. Palët bien dakord ta thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhshmërisë, marrëdhënieve në drejtësi dhe zbatim të ligjit, postë dhe telekomunikacion, shëndetësi, kulturë, fe, sport, mbrojtje të mjedisit, persona të zhdukur, dhe fusha të tjera të ngjashme përmes arritjes së marrëveshjeve specifike. Detajet do të pajtohen në marrëveshjet shtesë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Neni 7
Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës. Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8
Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selitë përkatëse të qeverive. Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9
Të dyja palët vënë në dukje angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për ta krijuar një pako të veçantë ndihme financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, lidhshmërinë, tranzicionin e gjelbër dhe në fusha të tjera kyçe.

Neni 10
Palët do ta krijojnë komisionin e përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Të dyja palët konfirmojnë detyrimet e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut nga e kaluara.

Neni 11
Palët angazhohen të respektojnë udhërrëfyesin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Artikulli paraprakMOT I KTHJELLËT DHE DIELL I NGROHTË, PARASHIKIMI I MOTIT PËR KËTË FUNDJAVË
Artikulli tjetërBERISHA: RAMA I BËN FSHEHURAZI TENDERAT E DIGJITALIZIMIT, MILIONA EURO TË SHPENZUARA PËR SISTEME JO-FUNKSIONALË