Sot mund të jetë një ditë e rëndësishme për historinë politike të Shqipërisë. Ilir Meta mund të bëhet Presidenti i parë i shkarkuar ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar.

Kuvendi mblidhet sot për të votuar raportin e Komisionit hetimor Parlamentar, i cili ka propozuar vendimin ekstrem edhe pse Presidenti Ilir Meta nuk e ka njohur këtë nismë të mazhorancës, madje e e ka cilësuar nul dhe anti kushtetuese.

Pas shkarkimit të pritshëm nga Kuvendi, vëmendja do të zhvendoset tek Gjykata Kushtetuese, e cila do të vendosë përfundimisht për shkarkimin ose jo të Ilir Metës si President. Nëse Kuvendi e shkarkon sot Ilir Metën, ky është precedenti i parë për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, e cila duhet të konfirmojnë ose rrëzojë vendimin e Parlamentit.

Shkarkimin e presidentit Meta, Partia Socialiste e ka konsideruar si një nevojë për të “çliruar Presidencën nga një pengmarrje”. Kjo kërkesë sipas mazhorancës nuk ka ardhur me qëllim që kjo e fundit të caktojë në krye të presidencës një emër nga radhës e saj. Madje ka qenë kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, që ka thënë se emri i ri i Presidentit do të bëhet në bashkëpunim me Kushtetutën.

Kujtojmë se kjo është nisma e dytë përmes një komisioni të dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra.

Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta, i cili përmes zëdhënësit të tij u shpreh se “s’do tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale e ndërkombëtare” dhe se ky vendim ishte antikushtetues dhe antiligjor. Ndërkaq Meta ndonëse është thirrur nuk ka pranuar të shkojë në asnjë mbledhje të komisionit.

Si nisën procedurat për shkarkimin e presidentit Ilir Meta? Për herë të dytë brenda dy viteve, Partia Socialiste nis procedurat për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta, për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Paralajmërimi i parë për shkarkimin e Metës erdhi fillimisht nga kryeministri Edi Rama, dy ditë para zgjedhje të 25 prillit, pasi Meta i shpalli luftë SHBA dhe ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Kujtojmë se Ilir Meta kishte paralajmëruar se do të jepte dorëheqjen por nuk e bëri një gjë të tillë pas zgjedhjeve. Ai ka thënë se do të kthehet në LSI në 2022, kur dhe i përfundon mandati i Presidentit. Nisur nga kjo, mazhoranca e njoftoi menjëherë nismën e saj për ta shkarkuar. Ishte vetë numri dy i PS-së, Taulant Balla i cili i pari konfirmoi një fakt të tillë, duke thënë se “do i bëjnë gati letrat e pensionit”.

Ndërkohë që më i ashpër ishte Kryeministri Rama i cili tha se Ilir Metën e dënoi populli i Shqipërisë në mënyrën më spektakolare dhe Kuvendi i Shqipërisë do të formalizojë këtë vendi. Kuvendi diskuton sot disa akte të rëndësishme normative për çështjen e vaksinave, dekrete të Presidentit Meta etj.

Artikulli paraprakNUK MJAFTON “KRYEVEPRA” E CIKALLESHIT, SHQIPËRIA HUMB MIQËSOREN NË ÇEKI
Artikulli tjetërDITA NIS ME KTHJELLIME, POR PASDITJA SJELLË VRANËSIRA DHE RESHJE SHIU! NJIHUNI ME PARASHIKIMIN E MOTIT PËR SOT