Sot mbahen zgjedhjet për kreun e SPAK. Tre kandidatët në garë janë Edvin Kondili, Adnan Xholi dhe Altin Dumani. Sipas Kushtetutës, nenin 148/dh, pika 3, kreu i SPAK-ut “zgjidhet nga radhët e prokurorëve të kësaj prokurorie me shumicën e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për 3 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje, sipas ligjit”.

11 anëtarët e KLP-së për zgjedhjen e kreut të SPAK janë Alfred Balla, Tartar Bazaj, Arta Mandro, Bujar Sheshi, Eloida Goxhi, Esmeralda Cami, Ledina Riza, Mirela Bogdani, Nurihan Seiti, Sokol Stojani dhe Zeqir Hoda.

KLP-ja, në zgjedhjen e kreut të SPAK, do të vlerësojë 7 kritere që janë: eksperienca në ndjekjen dosjeve sensitive të korrupsionit dhe krimit të organizuar, eksperiencën dhe aftësitë në organizimin dhe drejtimin e një strukture, eksperiencën në hartimin e miratimin e rregulloreve administrative, eksperiencën në çështje të cilat kanë marrë vëmendje të lartë publike dhe ndërveprim me median, aftësitë në drejtimin të burimeve njerëzore, vizionin për drejtimin e SPAK si dhe imazhin që ka në publik si prokuror.

Kriteret e vendosura favorizojnë kandidatët që kanë referuar në gjykatë dosje të ‘nxehta’ korrupsioni dhe krimi, që kanë në dorë dosje të bujshme me vëmendje të lartë publike dhe që janë në fokusin e mediave. Megjithatë, në fund do të jenë anëtarët e KLP-së që do të votojnë. Sipas nenit 20 të rregullores së KLP-së, kandidati që merr më shumë vota, zgjidhet kreu i SPAK-ut. Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, KLP kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash.

Artikulli paraprakSHQIPTARËT NUK E PËRDORIN SHUMË INTERNETIN, POR JANË NDËR TË PARËT NË EUROPË PËR ANGAZHIMIN NË POLITIKË NË RRJETE SOCIALE
Artikulli tjetërPËRMBYTJET NË SHKODËR, 2450 HA TOKË E PËRMBYTUR, 100 BANESA ME PREZENCË UJI