Dorëheqja nga Shërbimi Informativ i Shtetit i Visho Ajazi Lika përpara pak ditësh ka turbulluar ujërat në politikën shqiptare.
Opozita e ka cilësuar largimin e këtij të fundit si një presion politikë. Vetë kryetari Basha ka deklaruar se ai ka qenë halë në sy për Kryeministrin Edi Rama. Nga Shkodra, deputeti i Partisë Demokratike Bardh Spahia, u ka qëndruar fjalëve të deklaruara nga lideri i opozitës pak ditë më parë. Sipas tij, padyshim janë presione politike, të ndikuara edhe nga ngjarjet e fundit, sidomos me çështjen “Tahiri”, krimin dhe drogën.
Visho Ajazi Lika qëndronte në detyrë në krye të SHISH që prej vitit 2012. Ndërkohë, në vend të tij është emëruar Helidon Bendo, i cili vinte nga posti i zv. Drejtorit të këtij institucioni.