Në një takim me studentë të universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër organizuar nga Komiteti i Helsinkit mbi rolin e SPAK dhe integritetin e prokurorëve në luftën kundër korrupsionit, drejtuesi i SPAK Altin Dumani, iu tha studentëve se SPAK ka dhënë shenja që është në gjëndje të hetojë subjekte të ndryshme pavarësisht fuqisë se tyre politike dhe ekonomike.

“Jemi përpjekur që të kemi njerëz me integritet në SPAK. Kemi dhënë shenja që SPAK është në gjendje të hetojë subjekte të ndryshme pavarësisht fuqisë së tyre politike dhe ekonomike. SPAK heton edhe krimin dhe terrorizmin dhe jemi përballur edhe me struktura kriminale pavarësisht sa fuqi kanë apo lidhjet e tyre me politikën. Për të folur për suksese duhet të presim edhe vendimet e gjykatave të formës së prerë. Çdo ditë hetojmë dhe presim vendime fajësie nga gjykatat. Është punë e përditshme, stresuese, e lodhshme por në fund të ditës kur shikon që po mundohemi të thyejmë atë mitin e pandëshkueshmërisë atëherë ndjehesh mirë. Është e lodhshme por jo e pamundur”.

Dumani pohoi se në hetime ka ndryshuar metotologjia e punës dhe financimi i mirë nga shteti.

“Kjo është bërë falë edhe ndryshimit të metodologjisë së punës në prokurorinë e posaçme. Disa metoda që përdoren tani janë përdorur rrallë dhe tani përdoren masivisht si mjete të kërkimit të provës. Pra kemi ndryshuar edhe filozofinë e kërkimit të provës dhe kemi hequr dorë nga ata tradicionalet. Kemi investuar shumë edhe në teknologji sepse këto mjete kërkimi nuk mund të jenë të suksesshme nëse nuk ke mjetet e teknologjisë. Duhet edhe një buxhet i mirë dhe deri tani jemi financuar mirë nga buxheti i shtetit por po përdorim edhe të ardhurat nga pasuritë e konfiskuara nga krimi që kapin vlerën e miliona eurove dhe gjitha i kemi investuar në teknologji dhe kjo na sjell rezultate konkrete. Dy fenomenet më shqetësuese janë korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe SPAK është struktura speciale për t’i luftuar”.

Dumani siguroi se SPAK ka pavarësinë nga gjithë pushtetet e tjera.

“Duhet të krijosh edhe pavarësinë dhe sa i përket pavarësisë sigurohet nga kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Jua them me siguri se kemi pavarësi totale nga pushtetet e tjera. Nuk kemi marrëdhënie kontrolluese nga institucionet e tjera. Pavarësisht të gjitha këtyre në fund të ditës gjithçka varet nga integriteti i prokurotit dhe gjyqtarëve. Mund të jesh i pavarur por mund të zgjedhësh të filtrosh me pushtetin apo politikën. Vetëm ata me integritet mund t’i rezistojnë joshjes dhe presionit të pushtetit”.

I pyetur nëse kryeministri Rama a do thirret për t’u pyetur për çështjen McGonigal, Dumani tha se kjo çështje është regjistruar që në janar të 2022.

“Nuk mund të përgjigjem për pyetje të caktuara. Nuk ka rëndësi emri por provat dhe nuk ka rëndësi pushteti që ka dhe në një moment do t’i duhet kujtdo që të vijë dhe të japë llogari në SPAK apo gjykatë. Ne jemi të ndjeshem ndaj asaj që ndodh edhe në media apo kudo tjetër. Shumë media në muajin shkurt të vitit të kaluar dhe deri para 2-3 muajsh kemi marrë kritika pse nuk kemi regjistruar çështjen e Mc Gonigal dhe gjithë kritikët duhet të ndjehen të zhgënjyer se e kemi regjistruar që në janar të vitit 2022. Duhet të presim momentin kur të kemi diçka konkrete për ta publikuar. Edhe Ilir Meta është çështje nën hetim dhe nuk mund të jap të dhëna. Presioni i politikës nuk na bën përshtypje fare dhe kemi zgjedhur që ta bëjmë këtë punë. E kemi ditur se do ndeshemi me këto situata dhe mua nuk më bën përshtypje por as prokurorëve dhe problemi është nëse retorika politike kthehet në diçka konkrete, pra nëse përmes ligjeve bëjnë diçka për të na kontrolluar”.

Në takimin me kreun e SPAK i pranishëm ishte edhe David Backman, këshilltar ligjor në Ambasadën e SHBA në Shqipëri i cili tha se SPAK është shumë i rëndësishëm për një vend me korrupsion si Shqipëria.

Artikulli paraprakVLLAZNIA NUK NDALET AS NË KUPË
Artikulli tjetërCENSUSI NEGATIV, SPECIALISTËT MBLIDHEN NË SHKODËR