Pas kërkesë së SPAK drejtuar Kuvendit, për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, pasditen e sotme do të mblidhet Këshilli i Mandateve.
Mësohet se Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet në orën 16:00, mbledhje që do të zhvillohet në Kryesinë e Kuvendit. Ndaj Arben Ahmetajt janë ngritur tre akuza penale, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe deklarim i rremë dhe fshehje pasurie. Për këto akuza është kërkuar dhe arrestimi i tij.
Bashkë me lejen për arrestimin është dhe ajo për kontrollin personal dhe të celularëve të tij.
Më herët SPAK ka vepruar me kontrollin e dy banesave, të partneres së z. Ahmetaj në Hamallaj dhe një vilë në zonën e Palasës që mendohet se disponohet nga ish-bashkëshortja e Ahmetaj. Të dy pasuritë janë sekuestruar nga SPAK dhe ka pasur një përpallje të tij me drejtësinë që e kundërshtonte këtë kontroll dhe sekuestro, sidomos për banesën në Hamallaj ku jetonte me bashkëjetuesen Erjola Hoxha.
BalkanWeb disponon kërkesën e SPAK që i ka bërë Kuvendit, ndërsa ajo iu është dorëzuar deputetëve, që të njihen me pretendimet e Prokurorisë së Posaçme. Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë janë njohur me këtë dokument, ku specifikohen shkeljet e pretenduara nga SPAK për Ahmetajn, i cili thuhet se në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi ka përfituar para nga biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.