Ditën e Sotme Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet në një seancë të posaçme parlamentare, ku pritet të miratohet kërkesa e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj. Pas orësh debate e tension në seancën e djeshme, me këmbënguljen e Partisë Demokratike u ra dakord që kërkesa e SPAK të diskutohej ditën e sotme në orën 10:00, ndonëse ishte parashikuar për të hënën.

Me miratimin e kërkesës së SPAK, Arben Ahmetajt i hiqet përfundimisht imuniteti si deputet dhe i hapet rrugë arrestimit, ndonëse deri më tani ende nuk dihet se ku ndodhet ish-kryeministri, i cili është larguar nga Shqipëria. Vetë Partia Socialiste ka deklaruar se s’do të bëhet mburojë e Ahmetajt dhe asnjë zyrtari të korruptuar.

Në një reagim të parë, që pas kërkesës për arrestim, Arben Ahmetaj ka mohuar çdo akuzë që është ngritur ndaj tij duke thënë se do të flasë vetëm kur të gjithë të kuptojnë se s’ka asnjë lidhje me procedurën. E madje, ai ka thënë se do të dalë kur e vërteta të marrë rrugë.

Prokuroria e Posaçme i kërkon Kuvendit të hapë rrugën për arrestimin e ish zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, të cilin po e heton për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ku ndodhet Ahmetaj?
SPAK po heton rolin e Ahmetajt në tre inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. Sipas Zërit të Amerikës Ahmetaj u largua nga Shqipëria pak orë përpara se Prokuroria të formulonte kërkesën drejtuar parlamentit për ti hapur rrugë arrestimit të tij. Në 2 mbledhjet e këshillit të mandateve (11 – 12 korrik) Ahmetaj u përfaqësua nga avokatët të cilët pranuan se klienti i tyre nuk ndodhej në Shqipëri se ishte jashtë për arsye familjare dhe se nuk kishte pasur asnjë dijeni se Prokuroria do të paraqiste një kërkesë të tillë para Kuvendi.

Po sipas Zërit të Amerikës, Ahmetaj është larguar nga pika kufitare e Kakavijës. Ai kishte blerë online një bilete avioni për në Itali por nuk e ka përdorur atë. VOA por jo vetëm, edhe kryetari i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi kanë hedhur gjithashtu hipotezën se nga verifikimet e sinjalit të celularit të ish ministrit të Financave, momenti i fundit i vendndodhjes rezulton të ketë qenë Kanadaja.

Artikulli paraprakDASHURIA ËSHTË NË QENDËR TË GJITHÇKAJE, ÇFARË THONË YJET PËR JU SOT
Artikulli tjetërSEZONI TURISTIK, PUSHUESIT NË PLAZHIN E VELIPOJËS: E MBAJNË PASTËR, JANË SHTUAR HAPËSIRAT PUBLIKE