Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) do të rrisë bashkëpunimin me institucionin homolog në Rumani, drejtorinë e Hetimit të Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Rumani (DIICOT). Të dy institucionet kanë një marrëveshje bashkëpunimit, e firmosur nga krerët Arben Kraja dhe Oana Daniela Patu.
“SPAK dhe DIICOT kanë objektiv bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar në fushën penale me prioritet luftën kundër terrorizmit, trafikut të personave, trafikut të drogës, të kryera në kuadër të grupit të organizuar ose të formave të tjera të krimit të organizuar, të cilat prekin territoret e të dy vendeve.
Marrëveshja është një instrument shtesë me qëllim eliminimin e grupeve kriminale, duke garantuar shkëmbimin e të dhënave, informacioneve operative si dhe aspekte që kanë të bëjnë me legjislacionin dhe praktikat gjyqësore me rëndësi në fushat me interes të përbashkët. Nënshkrimi i këtij memorandumi përfaqëson një njohje në rritje të institucionit të SPAK nga autoritetet homologe gjyqësore të BE-së që kanë objekt goditjen e krimit të organizuar dhe terrorizmit”, thuhet në njoftimin e SPAK.