Komisioneri Publik nuk ka ankimuar vendimet e KPK që lanë në detyrë edhe tre prokurorë te listuar nga KLP për SPAK duke e çuar në 8 numrin e kandidatëve të konfirmuar.
Bëhet fjalë për prokurorët Altin Dumani, Klodian Braho dhe Elida Kackini, të cilët kanë marrë formë të prerë dhe që formalisht tashmë janë pjesë e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.
Tre kandidatë për Prokurorinë e Posaçme, SPAK, kanë bërë edhe një hap tjetër drejt emërimit në këtë strukturë pasi vendimet e KPK për lënien e tyre në detyrë kanë marrë formë të prerë.
Komisioneri Publik nuk ka ankimuar vendimet për Altin Dumanin, Klodian Brahon dhe Elida Kackinin, të cilët automatikisht janë pjesë e SPAK, duke e çuar në 8 numrin e kandidatëve që i kalojnë të gjitha shkallët.
Me këtë numër, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion mund të ngrihet pavarësisht se në Kushtetutë është përcaktuar numri jo më i vogël se 10 anëtarë.
Në disa dalje për media kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, ka deklaruar se i takon KLP-së të vendosë për një numër të pranueshëm prokurorësh për ngritjen e këtij institucioni duke mos përjashtuar numrin 8.
Aktualisht nga 15 prokurorë të listuar nga KLP kanë kaluar të dyja shkallët 8 prokurorë, dy të tjerë janë ankimuar nga KPA, ndërsa 5 të tjerë nuk kanë kaluar ende as në shkallën e parë.
Këtë javë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të mblidhet për të vendosur nëse do të presin plotësimin e numrit 10 apo do ta ngrenë këtë strukturë edhe me 8 anëtarë.