Struktura e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK)ka nisur zyrtarisht detyren. 8 prokurorët janë betuar mëngjesin e kësaj të enjte në Presidencë tek kreu i shtetit, Ilir Meta. Elida Kaçkini, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondili, Behar Dibra, Arben Kraja, Klodian Braho, Ened Nakuçi dhe Altin Dumani kanë marrë zyrtarisht detyrën, si anëtarë të një prej institucioneve më të reja dhe të rëndësishme të drejtësisë.
Me ngritjen e SPAK janë shkrirë automatikisht Gjykata e Krimeve të Rënda dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda pas 15 vitesh nga krijimi i tyre dhe në fokus të tij do të jenë hetimet pasurore të cilat do të çrrënjosin grupet kriminale duke ju bllokuar asetet.
Ambasada Amerikane ka përshëndetur ngritjen e SPAK, teksa vë thekin se ky institucion i ri i drejtësisë do u japë fund epokës së “të paprekshmëve”.
“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë tetë prokurorët të cilët u betuan këtë mëngjes si anëtarët e parë të Zyrës së Prokurorisë së Posaçme, duke shënuar një hap të rëndësishëm në themelimin e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK). Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar
dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm. Ndërsa Shqipëria nis një fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor, Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK dhe të të gjithë atyre që kërkojnë ti japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar”, shkruan amabasada Amerikane.
“Një moment shumë i rëndësishëm për Reformën në Drejtësi”. Kështu e përkufizon ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, ngritjen e SPAK. Soreca thekson se lufta e korrupsionit dhe krimit të organizuar është kyçe për rrugëtimin e vendit drejt BE-së.
“Mirëpresim betimin e 8 prokurorëve të SPAK para presidentit. Tani ata janë gati të nisin punën. Një tjetër moment i rëndësishëm për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Lufta kundër Korrupsionit dhe organizimit të krimit është përparësia kryesore për Shqipërisë dhe rrugën drejt anëtarësimit të BE-së”, shkruan Soreca.
Pas betimit të 8 prokurorëve të SPAK ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike. Ajo ka përshëndetur ngritjen e kësaj strukture teksa shprehet se ndëshkimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të bëhet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të vendosur. PD thotë se tashmë është koha që prokurorët të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të përmbushin pritshmërinë e qytetarëve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimit të organizuar.
Në ceremoni e betimit ishin të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Avokati i Popullit Erinda Ballanca, Anëtarja e Gjykatës Kushtetues Vitore Tusha, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të OPDAT-it, misionit EURALIUS V dhe anëtarët e KLP-së.