Të tjera detaje dalin në dritë nga dosja hetimore e SPAK për veprimtaritë e dyshimta që thuhet se kryheshin brenda organizatës MEK, të vendosur në Manzë të Durrësit. Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb dosjen në fjalë, ku thuhet se këto sulme kibernetike që dyshohet se janë kryer në kampin Ashraf, janë përsëritur në periudha të ndryshme drejt qeverisë së Iranit dhe institucioneve të saj. Po ashtu theksohet se ka dyshime për faktin se pjesëtarë të organizatës MEK me vendqëndrim në Manëz janë të përfshirë në aktivitet kriminal të terrorizmit dhe financimit të terrorizmit.

“Në kushtet ku ka dyshime të arsyeshme se organizata MEK nga territori i Republikës së Shqipërisë ka kryer sulme kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit në disa periudha të ndryshme kohore dhe drejt disa institucioneve të shtetit të Iranit. Duke qenë se statuti i qëndrimit të organizatës MEK në Shqipëri është humanitar, Republika Islamike e Iranit në vazhdimësi ka pretenduar duke ngritur këto dyshime si dhe në mënyrë të vazhdueshme kërcënon se do të ndërmarrë sulme ndaj Shqipërisë dhe organizatës MEK. Po ashtu Republika Islamike e Iranit ka kryer sulme kibernetike ndaj Republikës së Shqipërisë përpara disa kohësh gjë e cila ka cënuar seriozisht sigurinë kibernetike dhe integritetin kibernetik të shtetit shqiptar.

Me qëllim gjetjen e serverëve apo pajisjeve të tjera kompjuterike që mund të jenë përdorur për sulme kibernetike nga territori i Republikës së Shqipërisë është e domosdoshme kryerja e kontrollit në vendqëndrimin e pjesëtarëve të organizatës MEK në Durrës, Shqipëri. Në rastin konkret, nga hetimet e deritanishme dhe të dhënat e referuara nga ana e policisë gjyqësore rezulton se ka dyshime për faktin se pjesëtarë të organizatës MEK me vendqëndrim në Manëz janë të përfshirë në aktivitet kriminal të terrorizmit dhe financimit të terrorizmit.”, thuhet në dosje.

“Ka rezultuar se gjatë vitit 2022 institucionet shqiptare janë prekur nga disa sulme kibernetike të cilat për pasojë kanë sjellë çregullime të veprimtarisë së përditshme të strukturave të Policisë së Shtetit dhe institucioneve të ndryshme kritike. Sipas të dhënave ky sulm kibernetik dyshohet se mund të jetë kryer nga struktura të inteligjencës iraniane për faktin se në Shqipëri strehohen një numër i konsiderueshëm anëtarësh të organizatës së MEK që praktikisht janë opozita e regjimit iranian. Më datë 08.09.2022 Këshilli i Ministrave vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit si dhe u bë largimi i të gjithë stafit diplomatik nga territori i Republikës së Shqipërisë. Nga monitorimi i burimeve të hapura (rrjete sociale) e në vazhdimësi ka rezultuar se gjatë fundit të vitit 2022, u konstatua një rritje e retorikës kërcënuese nga Republika Islamike e Iranit dhe strukturave të Inteligjencës së tyre për të kryer sulme të mundshme, përfshirë edhe sulme me dron ndaj organizatës MEK me qëndrim prej disa vitesh në Shqipëri”.

Artikulli paraprakISHTE NË KËRKIM PËR TRANSPORTIM TË PALIGJSHËM TË EMIGRANTËVE, ARRESTOHET 44-VJEÇARI
Artikulli tjetërLUIZA GEGA PAS TRIUMFIT TË DJESHËM, MESAZH MINISTRES KUSHI